Lajme
Kurti u krenua që s’i shet qymyr Vuçiqit, por tashmë Serbisë i janë shitur 60 mijë tonë thëngjill të Kosovës
Demokracia
19:58 | 09 Qershor 2022

Share:

Të mërkurën në samitin e “Ballkanit të Hapur”, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozoi që në këmbim të thëngjillit të Kosovës të ofrojë rrymë.

“Ne ishim të gatshëm t’i ofronim Prishtinës shkëmbim në mënyrë që të merrnim sasi të konsiderueshme të qymyrit cilësor në këmbim të energjisë elektrike. Nëse nuk doni kështu, atëherë mund të bëhet edhe me para. Nuk kemi asnjë problem, jemi të gatshëm të flasim për këtë”, ka thënë Vuçiq për gazetarët në Ohër.

Propozimit të presidentit serb i është përgjigjur negativisht kryeministri Kurti, raporton Demokracia.com.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra, në vend të territorit të Kosovës tash po kërkon qymyr nga Kosova, por ai duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duhet t’i pranojë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet edhe nga presidenti despotik Putin, përveçse nga Millosheviqi, ministër i së cilit pati qenë atëherë”, shtoi Kurti.

Mirëpo, duket se Kurti ose nuk është në dijeni ose qëllimisht po e fsheh, pasi që Kosova tashmë është duke i shitur Serbisë qymyr.

Demokracia.com ka publikuar marrëveshjen ndërmjet “Kosova Thëngjill”, kompani kjo që më 28 prill të këtij viti ka arritur marrëveshje me kompaninë serbe “Lider Pro” nga Mitrovica e Sremit, për shitjen e mijëra tonëve të thëngjillit.

Në marrëveshjen që e ka siguruar Demokracia.com, e cila është në gjuhën serbe, thuhet se shitësi (Kosova Thëngjill) obligohet që në bazë të marrëveshjes të sigurojë thëngjill për territorin e Serbisë në sasi prej 36,000 tonë thëngjill të papërpunuar dhe 24,000 tonë thëngjill të thatë.

Po ashtu, në këtë marrëveshje janë specifikuar edhe përmasat e thëngjillit dhe çmimi për një ton.

Një ton thëngjill i papërpunuar është shitur në Serbi me 20 euro e 48 centë, ndërsa për thëngjillin e thatë (i gatshëm për përdorim), një ton është shitur për 49 euro e 87 centë.

Afati kohor i realizimit të porosisë është shtatë muaj sipas kësaj marrëveshjeje.

Demokracia.com ka tentuar të flasë me menaxhmentin e “Kosova Thëngjill”, por ata nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Një ton thëngjill i papërpunuar, siç mëson Demokracia.com nga burime brenda KEK-ut, Kosova Thëngjill e blen nga KEK-u me rreth 12 euro në ton pa TVSH.

Vlera e përgjithshme e këtij pazari të eksportit të thëngjillit në Serbi është 1,934,160.00 euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme