Lajme
Kurti u gjuhet prokurorëve e gjyqtarëve, por nuk e shkarkon Sveçlën për rastin e 11-vjeçares
Demokracia
15:22 | 02 Shtator 2022

Share:

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duket se me çdo kusht po tenton ta largojë vëmendjen nga pakënaqësitë e qytetarëve me keqqeverisjen dhe krizat e mëdha që e kanë kapluar shoqërinë, si ekonomike, energjetike dhe nga greva e mësimdhënësve në tërë Kosovën, të cilëve ua ka ndalur edhe pagat.

Pasi e shfrytëzoi fatkeqësinë e një të miture për instalimin e listave politike në strukturat drejtuese të Policisë së Kosovës, kryeministri Kurti tani për ta “turbulluar” debatin publik u është gjuajtur edhe prokurorëve e gjyqtarëve, duke luajtur me ndjeshmërinë e rastit të dhunimit të së miturës, shkruan Demokracia.com.

Duke mos bërë asnjë veprim për ta tejkaluar “ngërçin” në sistemin arsimor, Kurti pesë ditë pas rastit të rëndë të dhunimit të së miturës, i është kthyer sërish duke thënë se nuk mjafton vetëm dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

Ai ka kërkuar përgjegjësi edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin. Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, ka shkruar ai.

Kurti vetë e ka pranuar se duke e shfrytëzuar këtë rast, politika i ka futur duart në Polici.

“Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje”, ka shkruar ai.

Ky është reagimi i dytë i tij, pas rastit të përdhunimit të së miturës, por kësaj here me tone më të ashpra.

Ky është reagimi i vonshëm i kryeministrit Albin Kurti:

Nuk mjaftojnë dy dorëheqje

Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare.

Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.

Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi. Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrisin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?

Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.

Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.

Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.

Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin.

Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.

Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.

 

Të ngjashme