Lajme
Kurti thirrje qytetarëve: Vaksinohuni
Demokracia
19:45 | 12 Shkurt 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19, thekson se deri më sot janë administruar mbi 1 milion e 800 mijë vaksina kundër COVID-19, raporton Demokracia.com

Kurti ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), për donacionin shtesë prej 515 mijë e 970 vaksina, duke treguar se deri më tani Kosova nga ShBA ka pranuar në total mbi 1 milion vaksina.

Ky është postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900,000 qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë. Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues.

Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë.

Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA. Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt. Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para. Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim.

Të ngjashme