Lajme
Kurti: Telekomi duhet të rikthehet si lider në treg
Demokracia
14:48 | 10 Janar 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ekzekutivi është i interesuar ta rikthejë Telekomin e Kosovës lider në vend. Pas vizitës rreth dy orëshe në këtë ndërmarrje publike, kreu qeveritar tha se Telekomi do të ketë mbështetjen financiare të qeverisë për të dalë nga kriza.

Së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, shefi qeverisë e përgëzojë menaxhmentin e Telekomit për ngritjen e performacnës, uljen e shpenzimeve dhe ndërprerjen e kontratave të dëmshme.

“Ne jemi të interesuar që Telekomin,(Valën) ta bëjmë lider në Kosovë, ashtu siç ka qenë. Për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje financiare në vitin që lamë pas, por në vitin 2022 jemi të interesuar që bashkërisht ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit për të mirën e qytetarëve si konsumatorë dhe të shtetit të Kosovës”, tha ai të hënën.

Në konferencën për medie pas vizitës, ministrja Rizvanolli tha se synimi është të shohin nga e ardhmja për Telekomin.

“Synimi ynë është që të shohim nga e ardhmja, derisa raportojmë në Polici dhe Prokurori shkeljet që janë bërë të kaluarën dhe e kanë sjell Telekomin në një situatë që shpesh nuk është ditur a do të paguaj pagat. Por në gjashtë-tetë muajt e fundit situata është përmirësuar dukshëm. Tani është koha të shohim përpara posaçërisht për investimet që janë esenciale për Telekomin, në radhë të parë për shërbimet ndaj qytetarëve që janë investimet në rrjet, investimet në implementimin e kodit shtetëror të Kosovës dhe investimet në dhomën e përgjimeve që janë çështje e sigurisë kombëtare”, shtoi ajo.

Përkrahje ndaj Telekomit premtoi edhe shefi i kuletës së shtetit, Hekuran Murati.

“Duhet një lloj investimi, një shtytje fillestare në mënyrë që të mundësohet rikthimi. Në lidhje me këtë në vitin që lamë pas kemi mbështetur Telekomin me 10 milionë euro që të ruhet vijimësia e punës dhe infrastrukturës. Kurse këtë vit parashohim që në bashkëpunim me menaxhmentin të mbështesim Telekomin dhe të rikthehet i njëjti si lider në treg”, theksoi Murati.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana u shpreh falënderuese ndaj ndihmës së qeverisë, derisa tha se mbështetja prej 10 milionë euro e ekzekutivit ka qenë pagesë e borxhit ndaj ARKEP-it.

“Është Qeveria e parë që ka ardhur dhe po e ndihmon Telekomin, nuk po merr dividend prej Telekomit. Telekomi ka nevojë të madhe për ndihmë, pasqyrat financiare janë publike, dihet borxhi dhe vlera që kemi”, shtoi ajo.

Krahas Telekomit, ekzekutivi premtoi mbështetje edhe ndaj ndërmarrje tjera publike.

Të ngjashme