Shefi i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se të premten do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të raportojë kryeministri Albin Kurti rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Tahiri në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha po ashtu që edhe të hënën do të mbahet vazhdimësia e seancës në të cilën do të diskutohet për gjendjen ekonomike gjatë pandemisë, raporton Demokracia.com.
“Pas kërkesave të vazhdueshme të partive opozitare tashmë kryeministri i Kosovës ka vendosur që të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe të raportojë, sa i përket agjendës së tij të dialogut. Ne si opozitë kemi qenë në vazhdimësi për të i kërkuar qëndrime të veprimeve të kryeministrit të Kosovës. Ne i kemi parë qëndrimet e Albin Kurtit sa ka qenë në opozitë në raport me dialogun. Ne i kemi parë parimet që ai i ka prezantuar dikur, por tani kemi një ndryshim të madh nga këto parime të kryeministrit Kurti, dhe tashmë po e fillon një dialog pa i përmbushur ato kushtet e famshme të cilat i kishte kërkuar sa ishte në opozitë. Pra ditën e premte do të diskutohet mbi këto qëndrime dhe mbi agjendën e re të dialogut Kosovë-Serbi. Po ashtu ajo çfarë është e rëndësishme në vazhdimin e seancës që do të jetë ditën e hënë do të diskutohet edhe kërkesa e PDK-së, pra gjendja ekonomike në kohë pandemie”, tha Tahiti.
Tahiri i pyetur sa i përket çështje së Asociacionit, tha se kjo çështje nuk duhet trajtuar fare.
“Çështja e Asociacionit nuk duhet trajtuar fare, mendoj se këtë çështje e ka adresuar Gjykata Kushtetuese, andaj ai vendim i obligon të gjithë që ta respektojnë, dhe kryeministri nuk duhet të pranojë që kjo të hedhet në diskutim, dhe shpresoj që ka guxim që të adresojë një çështje të tillë”, tha Tahiri./Demokracia.com/