Lajme
Kurti: Të moshuarit janë më të dashurit tanë
Demokracia
22:53 | 02 Nëntor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se institucionet janë aktivizuar, pas marrjes së informatës për sulmin e së moshuarës në Qendrën Strehimore në Pejë.

Kurti shkroi në Facebook të mërkurën se ajo që u pa ishte e tmerrshme “dhe nuk ka qytetar i cili s’është shokuar”.

“Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndjenjën dhe përkujdesjen qytetare”, tha Kurti.

Për rastin ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet dhunën.

“Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit. E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme”, thuhet në njoftim.

 

Të ngjashme