Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të takohet me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të takimeve të thirrura nga kreu i ekzekutivit.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë për Demokracia.com, se kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku do të marrë pjesë në takimin me Kurtin, i cili mbahet mesditën e së mërkurës.
“Takimi do të mbahet, të mërkurën (26 maj) duke filluar nga ora 11:00”, ka thënë Halimi.
Ndërkohë, Kurti dje ka takuar kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Pas takimit, Haradinaj tha se folën për dialogun e Kosovës me Serbinë.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga Kurti.
Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit “çështje madhore” i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëherë unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirëinformuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo “çështje madhore”, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës. “, ka shkruar Hoxhaj. /Demokracia.com/