Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot futbollistët e Kombëtares së Kosovës në futboll, përpara ndeshjes që do të zhvillojnë kundër Suedisë.
Por, Kurti, po ashtu, sot ka takuar edhe kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, i cili ditë më parë nuk u paraqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, transmeton Demokracia.com.
Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material, kanë kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin.
Për analistin Fitim Salihu, bazuar në diskursin e Kurtit dhe Vetëvendosjes ndër vite, kjo natyrisht që ngreh pikëpyetje mbi konsistencën e qëndrimeve kundrejt personave me aktakuzë.
“Në parim besoj që kryeministri nuk e zgjedh se kë takon dhe nuk vendosë nëse ata janë të pafajshëm ose jo. Por, duke parë diskursin e Kurtit dhe Vetëvendosjes ndër vite, natyrisht ngrihen pikëpyetje mbi konsistencën e qëndrimeve të tyre kundrejt personave me aktakuzë. Por, kjo për mua nuk paraqet risi për sa kohë që Kurti ka hequr dorë para pushtetit nga disa qëndrime akoma më parimore sesa ky rasti në fjalë”, ka thënë analisti Fitim Salihu për Demokracia.com.
Aktakuza ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës është ngritur në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kanë kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje. /Demokracia.com/