Lajme
Kurti: S’kam asgjë të re për “Ballkanin e Hapur”, Rama: Ky projekt nuk na bashkon, por…
Demokracia
14:23 | 20 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur konferencë të përbashkët pas nënshkrimit të marrëveshjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët janë pyetur në lidhje me “Ballkanin e Hapur”, përkatësisht qëndrimin e Kosovës për këtë iniciativë.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk ka asgjë të re sa i përket “Ballkanit të Hapur”, raporton Demokracia.com.

“Së pari duhet të theksojmë që arritëm marrëveshje protokolle dhe memorandume gjithsej 19 sot dhe kjo është për të përshëndetur e gëzuar për të gjithë. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues midis njëri-tjetrit. Prandaj edhe mbledhjet e tilla janë midis Kosovës dhe Shqipërisë, që t’i forcojmë të dy shtetet tona në funksion të qytetarëve tanë për dëshirën dhe interesin e nevojat e tyre. Ndërsa për çështjen e ngritur, ajo është e një dimensioni tjetër, pra jo bilaterale, jo midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe për atë nuk kam asgjë të re t’ju them”, deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, theksoi se është shumë e vërtetë që “Ballkani i Hapur” nuk i bashkon, por as nuk i ndanë.

“Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por ama është po kaq e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na ndanë. Që do të thotë, që në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme dhe ky nuk është sekret dhe kjo nuk na pengon që në marrëdhëniet bilaterale të ecim përpara. Ashtu sikundër që unë dua të theksoj për qeverinë që unë drejtoj, që çdo gjë që ne jetësojmë me Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë me Kosovën. Konkretisht, operatorët ekonomikë të autorizuar, që do të thotë dhënie të gjithë kompanive që kontribuojnë për volumin tregtar mes dy vendeve dhe që nuk kanë risk të lartë që do të thotë që nuk janë të dyshuara për veprimtari të dyshuara, e një autorizimi për të pasur një korridor pa asnjë kontroll në pikën doganore. Këtë e kemi të jetësuar në Ballkanin e Hapur dhe këtë do ta jetësojmë shumë shpejt për Kosovën”, deklaroi Rama. /Demokracia.com/

Të ngjashme