Lajme
Kurti: Shumë shpejtë qytetarët e veriut do ta paguajnë energjinë elektrike
Demokracia
11:41 | 25 Nëntor 2021

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish në Kuvendin e Kosovës rreth pagesës për energji elektrike në veri të Kosovës. 

Duke iu përgjigju pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj se dhe për sa kohë do t’u paguhet energjia elektrike qytetarëve në veriun e Kosovës. Kurti ka thënë se KOSST ka vazhduar t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në atë pjesë të vendit dhe Qeveria nuk e ka paguar për atë energji elektrike.

Për këtë çështje, Kurti tha se po bashkëpunojnë me palët relevante si ZRRE-ja, BE-ja dhe partnerë të tjerë.

Ai po ashtu ka deklaruar se janë duke punuar që sa më shpejt të vij dita për faturimin e rrymës për qytetarët në veri, pasi sipas tij, kjo është diskriminim për qytetarët tjerë të këtij vendi.

“Është e vërtetë që ne kemi qenë kritikë kur kemi qenë në opozitë prandaj edhe e kemi trashëguar këtë gjendje që na ka dëshmuar që kemi pasur të drejtë në kritikën tonë. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel dhe po i paguajmë pasojat tani. Në Bruksel argumentet kryesore kundër nesh janë dakordimet e pajtimet që janë bërë nga ish-qeveritë dhe unë duhet të operoj me trashëgiminë e lënë më herët. Po e bëj më të mirën të mundshme në pajtim me ligjet e kushtetushmërinë. Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për ta plotësuar rekomandimin e fundit të Kuvendit për këtë çështje, d.m.th. futjen e konsumatorëve në katër komunat veriore të vendit në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, me qëllimin përfundimtar që këta konsumatorë të trajtohen barabarë me të gjithë konsumatorët e tjerë dhe ta paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë, e që do të ndodhë për herë të parë pas 22 vitesh”, ka thënë  Kurti. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme