Lajme
Kurti shpreson në mirëbesimin dhe vullnetin e mirë të Serbisë, 9 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë
Demokracia
11:10 | 27 Qershor 2024

Share:

“Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë, të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes…”.

Kjo është një pjesë nga deklarimi më i ri nga Brukseli i kryeministrit Albin Kurti, më 26 qershor 2024, ku kishte shkuar për të takuar Preisdentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por përfundoi vetëm me takimin me shefin e diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, shkruan Demokracia.com.

Ky deklarim i Kurtit, ku shpreh shpresën për mirëbesim dhe vullnet të mirë nga ana e Serbisë, vjen vetëm 9 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga dhjetëra serbë të armatosur rëndë dhe ushtarakisht, të cilët vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe u larguan për në territorin e Serbisë, atje ku gjetën strehën dhe vazhdojnë operimin të pashqetësuar.

Pikërisht ngjarja e 24 shtatorit 2024 i ka shërbyer Kurtit për të refuzuar një takim me Presidentin e Serbisë, pasi kryeministri Kurti e ka kushtëzuar zhvillimin e tij me dorëzimin e kryekriminelit dhe prijësit të grupit terrorist të Banjskës, Milan Radojçiqit.

Dorëzimi i Radojçiqit te autoritetet kosovare ishte vetëm një nga tri kushtet e prezantuara nga kryeministri Kurti.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë më 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska, ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë, të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letres së Bërnabiq, sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë është dorëzimi i Radojqiçit autoriteteve të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

“QEVERIA IME PO E MBRON” | MARRËVESHJA E BRUKSELIT DHE OHRIT KU KA ZAJEDNICË, AUTONOMI E VETËMENAXHIM PËR SERBËT, KURTI: NUK KA VDEKUR

A mund ta quajmë të vdekur Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, pas dështimit të takimit trepalësh Kurti – Borrell – Vuçiq?

Kjo ishte pyetja që gazetarët ia parashtruan kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, nga i cili morën përgjigjen e shpejtë dhe të prerë.

“Absolutisht jo”, tha Kurti, përcjell Demokracia.com.

Ai vazhdoi më tej se “Marrëveshja Bazike, po të pyetej Serbia, do të zhbëhej, mirëpo ajo është duke u mbrojtur suksesshëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga shteti ynë në përgjithësi dhe nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë”, tha Kurti.

Lajmi i plotë:

“Qeveria ime po e mbron” | Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit ku ka Zajednicë, autonomi e vetëmenaxhim për serbët, Kurti: Nuk ka vdekur

 

Borell ka thënë se pozicionet e dy palëve mbesin të largëta për zbatimin e marrëveshjes.

Ai ka paralajmëruar se dy kryenegociatorët do të ftohen javën e ardhshme në Bruksel nga emisari Miroslav Lajçak.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në deklaratën e tij për media pas takimit ka bërë të ditur se takimi mes dy kryenegociatorëve do të mbahet me shumë gjasë më 2 korrik.

“Do të provohet në fillim të korrikut, me shumë gjasë me 2 korrik, ndërmjet dy kryenegociatorëve që do të diskutojnë mbi sekuencimin, por zbatimi i marrëveshjes e ka të domosdoshme respektimin e saj”, tha Kurti.

Kurse Vuçiq njoftoi përmes llogarisë së tij në Instagram se gjatë takimit me Borrellin dhe Lajçakun ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe “zgjidhjen paqësore të problemit”.

Ai po ashtu tha se ka përmendur “të gjitha veprimet e njëanshme” të Kurtit.

“E ritheksova përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi që synon mbrojtjen e popullit serb dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që ka nënshkruar 11 vjet më parë, përkatësisht formimin e Asociacionit”, shkroi Vuçiq në Instagram. /Demokracia.com/

Të ngjashme