Lajme
Kurti shprehet i sigurtë se do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit dhe do ta arrijë marrëveshjen me Serbinë
Demokracia
10:19 | 26 Janar 2021

Share:

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ani pse me vendim të KQZ-së nuk është i certifikuar, thotë se do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit. Madje, ai shprehet i sigurt se në mandatin e tij do ta arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.

Në një bisedë me Wilson Center, ish-kryeministri i Kosovës ka folur rreth zgjedhjeve  të 14 shkurtit.

Ani pse ende nuk dihet se a do t’i lejohet të kandidojë për kryeministër dhe të jetë bartës i listës së LVV-së, Kurti shprehet i bindur se më së shumti në një muaj pas 14 shkurtit, do ta formojë Qeverinë, raporton Demokracia.com

“Unë jam në fushatë tani, unë drejtoj një listë prej 110 kandidatësh, bashkë me Vjosa Osmanin. Në listën tonë ne kemi persona të profesioneve të ndryshme, dhe në top 10-she janë pesë gra dhe pesë burra që është e paprecedentë në Kosovë.

Të gjitha sondazhet po tregojnë se ne do të fitojmë  të paktën 50 përqind.  14 shkurti nuk është vetëm ditë zgjedhjesh, por referendum, kur qytetarët do të vendosin për disa figura të vjetra dhe për një epokë të re. Pas 14 shkurtit, më së shumti një muaj, ne do ta formojmë Qeverinë dhe shumë shpejtë do ta zgjedhim presidentit.”, ka thënë ai, përcjell Demokracia.com

Kurti mes tjerash në këtë bisedë ka folur edhe rreth marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, për të cilën është i bindur se do të arrihet.

“Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet që fillimisht të përfshijë normalizim brenda Kosovës dhe normalizim brenda Serbisë. Sepse fillimisht duhet ta bëjmë Kosovën më normale dhe Serbinë më normale. Jam i sigurt se nëse hymë në një dialog serioz dhe të sinqerë, nuk do të jetë e lehtë, por do të arrijmë një marrëveshje.”, u shpreh ai mes tjerash.

Kujtojmë se KQZ nuk e ka certifikuar listën e VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, bashkë me atë të AAK-së dhe Nismës, pasi nuk zëvendësuan kandidatët me vepra penale të konfirmuara në tre vitet e fundit.

Sidoqoftë, tri partitë në fjalë kanë dërguar ankesat e tyre në PZAP dhe gjatë ditës së sotme pritet të merret vendimi për ato./Demokracia.com

Të ngjashme