Deputeti Albin Kurti është drejtuar për në objektin e Qeverisë, pasi kreu betimin në Kuvendin e Kosovës.
Me të dalë nga objekti, ai është pyetur se në çfarë cilësie po shkon në qeveri.
Veç tjerash, gazetarët e kanë pyetur Kurtin edhe se si do t’i bëjnë votat për kryeparlamentar, megjithatë, në asnjërën nga pyetjet nuk morën përgjigje.
“Në çfarë cilësie do të ktheheni në qeveri, ndërsa jeni betuar si deputet. Si do t’i bëni votat të hënën për kryeparlamentar?” – u pyet Kurti, i cili sërish iki bashkë me mbrojtjen e afërt.
Përmes një komunikate për media, Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se në procesverbal janë përfshirë deklarimet verbale të kryeministrit dhe ministrave në detyrë.
Sipas KDI-së, kjo është një zgjidhje diskutueshme politikisht, por e paqartë juridikisht.
“Edhe pse raporti nuk përfshin dorëheqjet formale, në procesverbal janë përfshirë deklarimet verbale të Kryeministrit dhe ministrave në detyrë, të cilat u përdorën si bazë për tejkalimin e situatës – një zgjidhje kjo e diskutueshme politikisht por e paqartë juridikisht. Megjithatë, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit – hapi më thelbësor në konstituimin e Kuvendit – nuk u realizua. Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e mjaftueshme, dhe seanca u pezullua” – është thënë në komunikatën e KDI-së.
Theksojmë se partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht i ka 57 vota në Kuvendin e Kosovës.
Në dy votime, e propozuara për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu mori vetëm nga 57 vota.
Nisma Socialdemokrate nuk e votoi për kryeparlamentare, anise edhe vetë ajo kishte deklaruar se i kanë numrat e nevojshëm.
Seanca e radhës do të mbahet të hënën në orën 15:00.