Lajme
Kurti s’e shfrytëzon momentumin të inicojë Ligjin për Referendum, kryetarët në veri synon t’i shkarkojë me udhëzim administrativ
Demokracia
12:54 | 30 Gusht 2023

Share:

Albin Kurti, si opozitar, është ankuar gjithmonë në qeveritë dhe shumicat e kaluara parlamentare, të cilat sipas tij nuk kishin guximin e mjaftueshëm që ta miratojnë në Kuvendin e Kosovës një ligj me rëndësi të madhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi: Ligjin për Referendum.

Për opozitarin Albin Kurti, kjo mungesë iniciative po ndodhte për shkak se politikanët nuk po e duan këtë ligj, sepse nuk e duan bashkimin kombëtar të shqiptarëve, rrjedhimisht të Kosovës me Shqipërinë.

Por, që nga dita kur është bërë Kryeministër i Kosovës dhe partia e tij ka shumicën që nuk e kanë pasur asnjëherë partitë tjera politike në të kaluarën, 50% të Kuvendit, Albin Kurti nuk ka bërë as hapin më të vogël për jetësimin e premtimit të tij të madh, që ua kishte dhënë shqiptarëve se me ardhjen në pushtet ai do të bënte gjithçka për realizimin e bashkimit kombëtar.

“Bashkimi kombëtar” është një ideal i madh, por që Albin Kurti e braktisi ende pa e filluar, shkruan Demokracia.com.

Vetëm një javë pasi partia e tij Vetëvendosje arriti rezultat historik, duke fituar 50.02% të votave në Kosovë, Kurti si kryeministër i ardhshëm kishte filluar të shfaqte zbythjen nga premtimi për bashkim kombëtar. Ai filloi ta prezantonte vetën jo si një lider që do të inicionte e punonte për idealin e bashkimit kombëtar, por si një votues i thjeshtë në një referendum që do ta organizonin të tjerët dhe jo ai.

“Mendoj se në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik, që do të kryhej në sjellje paqësore, unë do të votoja për po, por e përseris vetëm nëse bëhet në formë demokratike”, deklaronte Kurti më 21 shkurt 2021.

“Ne ende nuk kemi Ligj për Referendume në Kosovë, por dy referendume ndërmjet shtetit tonë dhe Shqipërisë do ta zgjidhnin një gjë të tillë”, thoshte më tej Kurti kur ishte pyetur nëse e mbështet ende idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

E pikërisht tani që është Kosova është në një momentum politik për të pasur Ligjin për Referendum, kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, nuk janë duke e shfrytëzuar këtë mundësi.

Kur votuesit përgjigjen me ‘po’ ose ‘jo’ në një pyetje të thjeshtë “nëse janë për ta larguar kryetarin X Y”, nuk është proces votimi i thjeshtë, por një përgjigje në pyetje të një referendumi, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, edhe pse kjo duket qartë se është një proces referendumi, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti i ka ikur kapitalizimit të mundësisë që largimi i parakohshëm i katër kryetarëve shqiptarë nga drejtimi i katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës të bëhet me referendum dhe jo me Udhëzim Administrativ.

Grupi Punues i formuar nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit ka filluar punën në muajin gusht për hartimin e Udhëzimit Administrativ, që të caktojë procedurat për iniciativën e qytetarëve që të largohen kryetarët e komunave nga detyra. Drafti i parë i këtij udhëzimi është gati dhe Qeveria e ka hedhur për diskutim publik në platformën për konsultime.

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur rrugën që kryetarët në veri t’i shkarkojë me Udhëzim Administativ, si të ishte një votim i zakonshëm. Kjo vërehet qartë në nenin 11 të Draftudhëzimit Administrativ, ku thuhet se në rast se kontatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Nga ardhja e tij në pushtet, Kurti ka ndryshuar tërësisht qasjen për bashkimin kombëtar. Tërheqjen e tij nga ky ideal i madh e ka deklaruar hapur dhe pa nënkuptime.

Edhe pse Kushtetuta e Kosovës ka mbetur e njëjta në këtë aspekt që nga viti 2008, Kurti ka filluar ta shoh si pengesë vetëm tani që duhet t’i përvjelë mëngët dhe të punojë si burrështetas për realizimin e premtimit të tij të madh. /Demokracia.com/

Kurti nuk guxon ta përmend bashkimin kombëtar në media greke: Nuk na lejon Kushtetuta

Të ngjashme