Lajme
Kurti s’bashkohej as kundër Serbisë, lojë të Thaçit dhe Vuçiqit e cilësoi ndalimin e trenit ruso-serb
Demokracia
13:53 | 16 Janar 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë, e sulmonte pushtetin për thuajse çdo gjë. Ai nuk humbiste asnjë rast dhe e sulmonte edhe kur kërkohej uniteti kundër Serbisë. Këtë gjë e kishte bërë edhe gjatë kohës kur pas këmbëngulësisë së Kosovës u ndalua treni ruso-serb që po udhëtonte drejt Mitrovicës me sloganet “Kosova është Serbi”. Kurti jo që nuk ishte në një zë me krerët e Kosovës asokohe, por edhe deklaronte se kjo ishte lojë e Thaçit me Vuçiqin.

Sidoqoftë, pas ardhjes në pushtet, Kurti ka ndryshuar shumë dhe përkundër që e ka shumicën në Kuvend, për spektakël politik po ia ka nevojën nganjëherë edhe opozitës, shkruan Demokracia.com.

Gjatë ditës së shtunë, ai propozoi një rezolutë në Kuvendin e Kosovës kundër referendumit serb, për votimin e së cilës pati nevojë edhe për opozitën.

Kështu, ai u bë bashkë me kundërshtarët politikë, ndërsa si populist që është e përdori edhe këtë si një fitore të tij, anise mund t’i kushtojë kundërshtimi që po ia bënë qeverive perëndimore dhe SHBA-së.

5 vjet më parë kur autoritetet në Kosovë ndaluan trenin që po udhëtonte nga Serbia drejt Mitrovicës, gjatë kohës sa president ishte Hashim Thaçi e kryeministër Isa Mustafa, Kurti i kishte cilësuar veprimet që e ndaluan trenin ruso-serb si “lojë” politike, shkruan Demokracia.com.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje kishte shkuar aq larg, saqë kishte deklaruar edhe se Thaçi ishte koordinuar me Vuçiqin për këtë.

Kurti gjatë asaj kohe kishte thënë se kjo është “lojë” që po e luan Thaçi për t’i zhvendosur negociatat Serbi-Kosovë në nivel presidentësh, në mënyrë që të jetë më dorëlirë për t’i mbyllur “koncesionet” për Trepçën dhe “Zajednicën”.

Edhe vite më parë kur Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një deklaratë përmes së cilës kishte kundërshtuar dhe shpallur të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e Strukturave Paralele në Komunat Veriore të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje si opozitë kishte refuzuar të votonte “pro” asaj deklarate, përkundër që bëhej fjalë për strukturat paralele të Serbisë.

Kreu i ekzekutivit dje u kritikua shumë nga deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, të cilët thanë se kryeministri po e përdorë votimin e rezolutës për t’u fshehur nga presioni që po ia bëjë aleatët më të mëdhenj të vendit./Demokracia.com/

Të ngjashme