Lajme
Kurti ringjallë UNMIK-un | Misioni i OKB-së kërkon që çështja e dinarit të diskutohet në Bruksel
Demokracia
20:53 | 06 Shkurt 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi e bëri dinarin temë ndërkombëtare, e riktheu misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, edhe një herë në skenë.

UNMIK-u ka bërë thirrje që çështjet e pazgjidhura të diskutohen brenda kornizës së dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa ka shprehur shqetësim për vendimin e BQK-së për qarkullimin e vetëm një valute, euros, për pagesa në Kosovë.

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka thënë se “i ka ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet e fundit që ndikojnë në të drejtat ekonomike dhe sociale të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë”, shkruan Demokracia.com.

Ajo ka thënë se duhet të përfshihen në diskutim edhe komunitetet që preken para një vendimi.

“Ziadeh bën thirrje që çështjet e pazgjidhura të diskutohen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë dhënien e kohës së duhur për të lejuar komunikim efektiv dhe kontakt adekuat me komunitetet e prekura paraprakisht”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.

BQK-ja kishte vendosur me rregulloren e re, që nga 1 shkurti për pagesa në Kosovë të përdoret vetëm euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme