Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian ka prezantuar kërkesën se si duhet të shkohet shpejtë në zgjedhje të reja në katër komunat e veriut të Kosovës, por kjo ide është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
ShBA dhe BE bashkohen në idenë e tyre se rruga më e shpejtë dhe më e lehtë që çon në zgjedhje është dorëheqja e katër kryetarëve shqiptarë të cilët janë zgjedhur në votimet e 23 prillit 2023, por që këto votime ishin bojkotuar nga serbët që përbëjnë shumicën në këto komuna, shkruan Demokracia.com.
Pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell ka folur për çështjen e zgjedhjeve në veri, duke thënë se ka dy mënyra që kjo të ndodh, por ka favorizuar dorëheqjen e kryetarëve si mënyrë më e shpejtë.
“Zgjedhjet mund të shkojnë edhe kah dorëheqjet e kryetarëve ose mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni të qartësoj në emër të BE-së se dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur me 3 përqind të qytetarëve është mënyra më e mire për t’i mundësuar zgjedhjet, procedura tjetër është e gjatë dhe e pasigurtë”, ka thënë Borrell.
Pas kësaj paraqitjeje, në konferencën e tij për media, kryeministri i Kosovës, Kurti, ka hedhur poshtë propozimin e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikes.
“Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar Udhëzimin Administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, ka thënë Kurti pas takimit në Bruksel.
Vetëm një ditë para takimit të radhës në Bruksel, i dërguari i ShBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka shprehur të njëjtin qëndrim.
“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Në fakt, nuk ekzistojnë shumë nga rregulloret dhe ligjet për këtë. Megjithatë, po kërkojmë për çfarëdo mundësie brenda Kushtetutës, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve. Por, gjithsesi besoj se dorëheqjet do të ishin më të shpejtat. Megjithatë, po e përcjellim situatën me shumë vëmendje” ka thënë ai.
Sidoqoftë, takimi i 14 shtatorit nuk ka prodhuar ndonjë dakordim të palëve për çështjet që dalin nga Marrëveshja Bazë e Brukselit e arritur më 27 shkurt 2023 dhe nga pjesa integrale e saj, Aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023. /Demokracia.com/