Lajme
Kurti refuzoi kërkesat e heronjve të Banjskës që mbrojtën Republikën, por 7500 euro për Gani Jakupin u duket vlerë modeste
Demokracia
11:57 | 24 Nëntor 2023

Share:

Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë. Por, kjo veçse po e rritë arrogancën e pushtetarëve.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, sot e ka mbrojtur “superkëshilltarin” Gani Jakupi, i cili është angazhuar për lobim me një pagë prej 7 mijë e 500 euro në muaj.

Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, ajo ka thënë se paga e tij është modeste.

Gërvalla ka kërkuar që të respektohet personaliteti i Gani Jakupit, duke thënë se po bënë punë të jashtëzakonshme.

“Lehtë është ta angazhosh një kompani që kushton 4 milionë, por vështirë është të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike të vendeve të ndryshme të cilët me një shumë modeste, e cila pothuajse nuk i tejkalon shpenzimet që Republika e Kosovës i ka për një diplomat në vendin pritës”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja është shprehur krenare me punën e Jakupit.

Sipas saj, krahasuar me kontratat e mëhershme të lobimit, shuma me të cilën paguhet Jakupi është modeste.

“Prandaj, unë jam shumë krenare, shumë jam krenare, që me këtë shumë modeste, e cila nuk është pagë mujore, e cila është shumë që përfshin shpenzimet e një projekti të tërë njëvjeçar. Është një shumë shumë modeste krahasuar me të gjithë dokumentacionin që unë kam parë në Afrikë dhe shtetet tjera. I kam parë me kujdes, sepse është puna ime, tjetër që janë kontrata konfideciale të së kaluarës, të cilat nuk i ka deklasifikuar institucioni përkatës. Përndryshe, me shumë kënaqësi vij këtu dhe iu tregoj për kontrata të lobimit në të kaluarën”, ka thënë Gërvalla.

Përderisa paga e Gani Jakupit duket modeste për pushtetarët, ata nuk vepruan kështu me kërkesat e policëve elitarë të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla, kur policët kërkuan shtesat e rrezikshmërisë ua përmendën atyre edhe paratë që morën kur punuan mbi 600 orë në muaj, duke thënë se ata morën mbi dy mijë euro.

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim protestuan para Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendimin lidhur me shtesat e rrezikshmërisë. Kategorizimi si njësi e veçantë, rrezikshmëria të përcaktohet në 50% e pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës janë tri kërkesat kryesore te tyre. Por, kërkesat e tyre nuk u morën parasysh.

E këtyre kërkesave të këtyre njësiteve iu përgjigj kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla.

Kurti tha se 27 për qind e pjesëtarëve të Policisë kanë pasur të hyra më shumë se 1000 euro në muaj.

”Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, ka thënë Kurti ndër tjerash.

E Sveçla deklaroi se ka policë të cilët të ardhurat mesatare mujore e kanë mbi 2 mijë e 200 euro.

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka thënë ai dje.

Por, sa në të vërtetë paguhen policët e Kosovës?

Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë e deri në mbi 1.500 euro në muaj për Drejtorin e Përgjithshëm.

Dy njësitet që protestuan dje llogariten të jenë në kategorinë e policëve të lartë. E një polic i lartë ka pagë bazë 619 euro.

Ata me gradën polic marrin 525 euro pagë, teksa polici i ri 472 euro.

Më së paku paguhen kadetët, 210 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka prezantuar të premten shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9 dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”.

E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor dhe as jetësor. /Demokracia.com/

Të ngjashme