Lajme
Kurti që flet edhe për bojlera e filtera, nuk e di pse vjen Pesëshja në Kosovë: Çka do të kërkojnë e marrim vesh nesër…
Demokracia
13:46 | 20 Tetor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti, që flet për çdo temë, madje edhe për bojlera e filtera, nuk ka dhënë detaje se çka do të diskutojë me pesë emisarët që të shtunën do të qëndrojnë në Kosovë.

Ai tha se siguria e Kosovës është prioritet dhe pa siguri nuk ka normalizim. Kurti shtoi se sa më shpejt që të zbatohet marrëveshja bazike e Brukselit do të këtë jo vetëm normalizim, por edhe siguri për Kosovën dhe rajonin.

“Çka do të kërkojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, edhe për popullin, edhe shoqërinë. Për këtë punojmë ditë e natë, me krejt çfarë mundemi e dimë”, tha Kurti.

“Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Me 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi Policinë, ushtarët e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri. Me 14 qershor e patëm rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviq”, tha Kurti nga Shtimja, ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdhe.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të ngjashme