Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, në Ditën e Përkujtimit, ka falënderuar ushatarët amerikanë të misionit paqeruajtës të NATO-s që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë.
“Në Ditën e Përkujtimit nderojmë trimat që kanë sakrifikuar jetën për të mbrojtur lirinë. Ne në Kosovë jemi përjetësisht mirënjohës për mbrojtjen e jetës dhe lirive tona që na kanë dhënë forcat amerikane. Kjo mbrojtje është e pranishme sot kur forcat e KFOR-it ndihmojnë institucionet tona të ruajnë paqen”.
On Memorial Day we honor the brave who have sacrificed their lives to defend freedom. We in 🇽🇰 are eternally grateful for the protection of our lives & freedoms that U.S. forces have given us. This protection is present today when KFOR forces help our institutions maintain peace.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 29, 2023
Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar ashpër për situatën e tensionuar të premten në veri të Kosovës.
Përmes një deklarate publike DASH i dënoi veprimet e e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që janë ndërmarrë kundër këshillave të SHBA dhe partnerëve evropianë.
Më tej DASH i ka bërë thirrje që kryeministri Albin Kurti të ndryshojë kursin e sjelljes dhe palët duhet të përmbahen nga veprime të mëtejshme që nxisin konfliktin.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin.”, thuhet në deklaratën e DASH.