Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot e ka përuruar një projekt të qeverisjeve të kaluara, të cilat nuk lë vend pa i akuzuar për keqqeverisje 20-vjeçare.
Ai bashkë me kryediplomaten gjermane Annalena Baerbock e përuruan parkun e ri të erës “Selac Windpark”, në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.
Në këtë promovim të projektit të qeverisjes që Kurti s’lë vend pa e përbaltur, ai ka thënë se Kosova me këtë investim po ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme, shkruan Demokracia.com.
“Është kënaqësi – edhe pse një kënaqësi shumë e ftohtë dhe me erë – të jem këtu me ju sot për inaugurimin zyrtar të parkut të erës Selac. Me këtë investim, Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme. Ne e mirëpresim me gjithë zemër këtë investim strategjik”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i vendit ka thënë se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.
Kurti ka shtuar se agjenda e gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë së tij.
“Jo vetëm, sepse ajo përfshin një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht, sepse ne kemi nevojë të ulim gradualisht përdorimin e qymyrit, duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, shtoi ai.
Tutje Kurti tha se tri aspekte janë të rëndësishme kur bëhet fjalë për këtë investim.
“I pari është diversifikimi i prodhimit të energjisë, pasi prodhimi i energjisë nga ky park me erë do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë. I dyti është ulja e emetimeve të CO2 për 247 mijë tonë dhe i treti është se do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që pasoi këtë dimër. Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë, zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme. Nuk do të kishte një projekt më të mirë për të hapur rrugën si investimi i parë strategjik, se ky”, u shpreh Kurti.
Sipas të dhënave, Kosova prodhon vetëm 2.7 për qind të energjisë nga hidrocentralet dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore. Prodhimi kryesor është nga thëngjilli. /Demokracia.com/