Lajme
Kurti ‘profilizohet’ si adresa kryesore e bisedimeve, pesëshja s’e takoi sot Presidenten
Demokracia
15:46 | 20 Janar 2023

Share:

Ndonëse vizitën e top diplomatëve në Kosovë e kishte paralajmëruar vetë Presidentja Vjosa Osmani, sot nuk pati takim mes saj dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që erdhën në Prishtinë.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i dërguar special i Gjermanise, Jens Plötner, i dërguar special i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari special i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, qëndruan në Prishtinë sot paradite.

Ajo që quhet “top 5-she” e diplomatëve erdhën në Kosovë për diskutim me Kryeministrin Albin Kurti. Nga Brukseli ishte njoftuar se pas takimit me Kurtin, diplomatët do ta takojnë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Diplomatët tashmë ndodhen në Beograd, ku janë paraparë prononcime për gazetarë diku rreth orës 17:00.

“Lajçaku do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte. Në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, ku do të diskutohen hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në këtë vizitë emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv. sekretari amerikan Gabriel Escobar”, ka thënë gjatë javës që shkoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Pra, në agjendën e këtij formacioni diplomatik nuk ishte një takim me Presidenten Osmani, e cila një muaj më parë ka njoftuar për vizitën e sotme të Lajcakut me kolegë.

“Po besoj që në pjesën e parë të janarit do të vinë në Kosovë. Besoj që në atë takim do t’iu bashkohet edhe emisari i ShBA-së”, kishte thënë Osmani.

Presidentja thoshte se vizita e tyre do të bëhej me qëllim të intensifikimit të dialogut me Serbinë për një marrëveshje normalizimi.

Edhe pse, zakonisht diplomatët e huaj ndalën edhe në zyrë të Osmanit për takim, tanimë duket se çështja e marrëveshjes së madhe është kanalizuar vetëm në Kryeministri dhe për raportet me Serbinë si duket bisedohet vetëm me Kurtin.

Pas dy orësh diskutime, Lajcak u deklarua për takimin e diplomatëve me Kurtin. Ai tha se u fol për normalizimin e raporteve me Serbinë, bazuar në planin e njohur si franko-gjerman, që i është dorëzuar Kryeministrit në shtator.

“Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se dy orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por shumë i hapur dhe i sinqertë. Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë”, u ka thënë Lajcak gazetarëve.

“Ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që ky propozim i ofron. Shpresoj të mbërrijmë atje, tek mirëkuptimi i plotë si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë kanë shpeshtuar vizitat në Prishtinë dhe në Beograd, prej shtatorit, kur Kurtit dhe Vuçiqit i propozuan një kornizë, sipas së cilës do të arrihej një marrëveshje për normalizim të raporteve./express

Të ngjashme