Lajme
Kurti priste Abazoviqin për ta korrigjuar demarkacionin, por kryeministri shqiptar i Malit të Zi ia shuan shpresat
Demokracia
22:57 | 10 Maj 2022

Share:

Me ardhjen e Dritan Abazoviqit në krye të qeverisë së Malit të Zi, shqiptarët ndjenë se e forcuan pozicionin e tyre në Ballkan. Pjesë e pakos është edhe shpresa që me Abazoviqin do të gjendet mirëkuptimi i shumëpritur për ridefinimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Edhe pse kanë kaluar vite nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, kryesisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vazhdojnë të mbajnë gjallë shpresat se një ditë, kjo çështje do të ribisedohet me Malin e Zi dhe Kosovës do t’i kthehen Zhlepi e Çakorri.

Megjithatë, kryeministri i ri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, sonte është shprehur shkurt dhe prerë për këtë çështje, duke çuar mesazhin te Kosova se ai s’do të jetë i hapur për rinegociimin e kësaj marrëveshjeje me kryeministrin e Kosovës.

“Për Malin e Zi, ajo është një çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai për Klan Kosovën, përkundër se para se të zgjidhej kryeministër, kishte deklaruar se çështjet e hapura me Kosovës do të diskutohen.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, vetëm rreth dy muaj më parë, kishte deklaruar se është duke e pritur zgjedhjen e qeverisë së re në Mal të Zi, për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit, duke dhënë indikacione se priste zgjedhjen e Abazoviqit.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit – dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, kishte thënë në muajin mars të këtij viti.

Kurti kishte deklaruar se e konsideron të padrejtë dhe të gabueshme që 8,200 hektarët e Kosovës i ishin dhënë Malit të Zi.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, kishte deklaruar ai.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte kundërshtari më i madh i demarkacionit me Malin e Zi, nuk e ka uruar fare Abazoviqin që është zgjedhur kryeministër, ndërkohë që ndejat tubimet e tij partiake, ende karakterizohen nga debate për këtë çështje dhe krijimi i shpresës që gabimi do të korrigjohet.

Do të mbetet për t’u parë nëse Abazoviq do të hapet për ta diskutuar edhe njëherë një çështje të mbyllur, mirëpo vullneti i tij politik për ta rihapur një rrëmujë të mbyllur, duket i vogël pas zgjedhjes kryeministër.

 

Të ngjashme