Lajme
Kurti prezanton një Bosnje normale | Pasi u dha serbëve Zajednicën me Vetëmenaxhim e autonomi “harron” rrezikun për “bosnjëzimin e Kosovës”
Demokracia
10:32 | 07 Dhjetor 2024

Share:

Pas Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksin për zbatimin e saj (Ohër, 18 mars 2023) që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte arritur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, drejtuesi i Qeverisë së Kosovës ka filluar ta shoh një Bosnje krejtësisht tjetër nga ajo që e kishte prezantuar për kohë të gjatë si opozitar.

Me Marrëveshjen Bazike, Kurti është pajtuar në Bruksel me presidentin serb për të “siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe “zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”, kurse me Aneksin për zbatimin e saj ai e ka kushtëzuar integrimin evropian të Kosovës me zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit 2023, shkruan Demokracia.com.

Për vite të tëra, në diskursin e tij kundërshtues ndaj procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kurti kishte përdorur shembullin e Bosnjës për të frikësuar qytetarët e Kosovës dhe për të krijuar mashtrimin publik se prapa këtij dialogu për normalizim ishte ç’normalizimi i Kosovës përmes një projekti të ngjashëm si ai në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Zajednica është kundër Kosovës, s’duam të përseritet skenari i Bosnjës”, ishte togëfjalëshi që mund të dëgjohej përditë nga opozitari Kurti dhe të tjerët nga partia e tij, Vetëvendosje.

Madje, këtë diskurs kundërshtues, Kurti e përdori edhe në fillim si kryeministër i Republikës së Kosovës.

“[Me Zajednicë] donin të përsërinin Bosnjën në Kosovë. Unë nuk do ta lejojë këtë, qofsha në opozitë, qofsha në Qeveri. Kjo është arsyeja se pse njerëzit më votuan: Për të parandaluar Bosnjëzimin e Kosovës. Beogradi dëshiron të ketë një shtet brenda një shteti. Shteti i Serbisë me pavarësi brenda Kosovës”, deklaronte Kurti më 3 nëntor 2021, në një intervistë për mediumin ndërkombëtar, BBC, në emisionin HARDTalk të gazetarit Sephen Sackur.

PASI U DHA SERBËVE ZAJEDNICËN ME VETËMENAXHIM E AUTONOMI, KURTI “HARRON” RREZIKUN PËR “BOSNJËZIMIN E KOSOVËS”

Por, pas Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksin për zbatimin e saj (Ohër, 18 mars 2023), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka harruar se çfarë ngjallë tek ai sa herë që përmendet emri i Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në një vizitë gjysëm-zyrtare në këtë shtet, Kurtit nuk i është kujtuar për asnjë moment të prezantojë fytyrën e vjetër të Bosnje e Hercegovinës, për të cilën ai fliste vazhdimisht dhe në çdo studio televizive, vendore e ndërkombëtare.

Demokracia.com sjellë të gjitha njoftimet zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, në të cilat, në asnjë rast të vetëm nuk flitet për “jetën e vështirë politike” në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në të gjitha fotot e publikuara, kryeministri Kurti nuk fsheh “buzëqeshjen”, e në të gjitha takimet ai ka ngritur çështjen e “rritjes së bashkëpunimit” mes dy shteteve.

Njoftimi i parë

Në njoftimin e parë dhe të shkurtër të kryemininistrisë, njoftohet se kryeministri Kurti ka vendosur lule pranë Mmeorialit të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës.

Njoftimi i dytë

Në njoftimin e dutë, tregohet se Kurti ka zhvilluar takime me me Denis Bećirović, anëtarin boshnjak të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Željko Komšić, anëtarin kroat të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Në dy takime të njëpasnjëshme në ndërtesën e Presidencës, u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin tregtar, me ç’rast u shqyrtua mundësia e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik, dhe për të shtuar shkëmbimet në kulturë dhe edukim. Kryeministri theksoi se njoftimi i Qeverisës së Republikës së Kosovës sipas së cilit nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pra më pak se një muaj, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë drejt Kosovës me letërnjoftime, do të kontribuojë shumë në rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, theksoi rëndësinë që edhe Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen e mobilitetit për lëvizje të lirë e dalë nga Procesi i Berlinit, në mënyrë që përfitimet nga lëvizja e lirë të jenë të dyanshme”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i tretë

Edhe në takimin e tretë të Kurtit me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, gjeneralin Refik Lendo temat e diskutuara ishin pak a shumë si ato të takimit të dytë.

“Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin Lendo për mikpritjen e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë. E njoftoi atë për përgatitjet që institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Procesit të Berlinit për lëvizje me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në drejtim të Kosovës, duke filluar nga 1 janari 2025. Ai theksoi rëndësinë që edhe Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë sa më parë këtë marrëveshje ashtu që të filloj zbatimi i saj nga të dy palët”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i katërt

As në takimin e katërt nuk ka ndryshuar gjë. Kryeministri Kurti në takim me kryeministrin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Nermin Nikšić, ka përsëritur ato që ka diskutuar në takimet paraprake për “raportet ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimi ekonomik, mundësitë e reja dhe mënyrat e rritjes së shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe arsimore në njërën anë, dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në anën tjetër ishin temat kyçe të takimit”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i pestë

Edhe takimin e pestë, me me Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegović dhe Kryetarin e Partisë për Bosnjën dhe Hercegovinën (Stranzka za BiH), Semir Efendić, e ka shfrytëzuar për të diskutuar për “raportet ndërmjet dy vendeve dhe për rritjen e bashkëpunimit” dhe u ka treguar për “vendimin e Qeverisë që të mundësojë udhëtimin e lirshëm të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftim në Kosovë duke filluar nga 1 janari 2025”, thuhet në njoftim. / Demokracia.com /

Të ngjashme