Lajme
Kurti planifikon t’ia dërgojë Ukrainës ekspertët që nuk u besoi në rastin e Astrit Deharit
Demokracia
21:25 | 20 Prill 2022

Share:

Kosova ka një numër shumë të vogël të ekspertëve të forenzikës dhe mjekësisë ligjore.

Ekspertët e forenzikës dhe mjekësisë ligjore në Kosovë, përkundër që janë të paktë në numër, as këta që janë nuk e gëzojnë besimin e drejtuesve të shtetit të Kosovës.

Partia e kryeministrit Albin Kurti nuk u kishte besuar ekspertëve kosovarë të forenzikës dhe mjekësisë ligjore në rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, i cili vdiq në burgun e Prizrenit.

Madje, përveç që hapur kishin shprehur dyshime në profesionalizmin e tyre, LVV-ja kërkonte publikisht që rasti t’u besohej ekspertëve zviceranë, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, me ardhjen në pushtet, Kurti edhe në këtë drejtim ka ndryshuar.

Ai tani po synon që ta ndihmojë Ukrainën me ekspertët e forenzikës dhe mjekësisë ligjore, që më herët nuk u besonte.

Kryeministri Albin Kurti i mblodhi rreth një tavoline të gjithë ekspertët kosovarë.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takuan ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe ata të ngarkuar me çështjet e ADN-së pranë Agjencisë Kosovare për Forenzikës.

“Gjatë takimit u diskutua mundësia e angazhimit të ndonjërit nga ekspertët kosovarë të forenzikës në territorin e Ukrainës, si ndihmë e Republikës së Kosovës për shtetin që ka dy muaj që është nën sulmet e ashpra ushtarake të Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Tutje në këtë komunikatë thuhet se ditëve në vijim do të intensifikohet komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe ekspertëve të forenzikës rreth kësaj forme të ndihmës për Ukrainën.

Por, nuk është ende e qartë nëse kryeministrit do t’i dalin telashe ligjore, pasi që me ligjet e Kosovës është e ndaluar pjesëmarrja në luftërat e huaja.

Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë vendit thotë se dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi, i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët kanë shtetësinë e shtetit të huaj dhe janë pjesë e ushtrisë ose formacionit ushtarak të tyre, ose shërbejnë në formacionet ushtarake nën kontrollin e qeverive ndërkombëtarisht të pranuara apo organizatave ndërkombëtare.

Por, dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen vetëm për strukturat e sektorit të sigurisë të Republikës së Kosovës, të cilat në bazë të ligjit veprojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme
Lajme • 12 Maj 2025