Në 24- vjetorin e masakrës në fshatin Rogovë të Hasit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 21 dëshmorët, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e civilë, të rënë më 29 janar të vitit 1999 në këtë masakër.
Nëpërmjet një komunikate për medie Zyra e Kryeministrit ka njoftuat se Kurti ka bërë homazhe edhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës.
“Te lapidari në Vraniq të Gjakovës, Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe kujtoi katër dëshmorët e familjes Lleshi. Prendi dhe Mema ranë dëshmorë më 28 janar 1999 në betejën e Godenit, ndërsa Marku dhe Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti kujtoi dëshmorët Hamdi Berisha dhe Kasim Shala duke vendosur lule të freskëta te ura e Bishtazhinit, ndërsa në Gadish nderoi jetën dhe veprën e Gasper Karaqi, i rënë dëshmorëmë 28 janar 1999.