Të martën e 2 majit në Bruksel të Belgjikës do të përfundojë kundërshtimi prej një dekade i kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kurti, më 2 maj, do të ulet në tavolinë përballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të diskutuar draft-statutin e parë të “Zajednicës”, pra, për të hedhur hapat e parë drejt themelimit të ASK-së.
Kështu është bërë e ditur nga Bashkimi Evropian. Të martën e 2 majit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendës Presidentit Josep Borrell, Kurti dhe Vuçiq do të ulen të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur dhe aty do të prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që i hapë rrugë themelimit të Zajednicës.
“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian, shkruan Paparaci.com.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që në karrierën e tij politike ka qenë kundërshtuesi më i madh i themelimit të Zajednicës, nuk u dorëzua deri në fund së mohuari një gjë të tillë. Pas kthimit nga takimi maratonik i Ohrit, ku u dakordua për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit – pjesë e së cilës është Zajednica, por edhe pas kërkesës eksplicite të Borrell për themelimin e saj, Kurti ia gjeti një emër të ri.
“Vetëmenaxhim, e jo vetëqeverisje”, ishte fraza e re e Kurtit për të përshkruar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe me këmbëngulje insistonte në të. Madje, opozitari i dikurshëm i protestave kundër Zajednicës, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti kishte deklaruar se bëhet fjalë për vetëmenaxhim të komunitetit dhe jo vetëqeverisje të komunave.
Të njëjtin diskurs, Kurti e kishte përdorur edhe pas përfundimit të takimit në Ohër, por edhe në paraqitjet e tij televizive. Pas përfundimit të takimit, Kurti e kishte përmendur nenin 7 të marrëveshjes së Brukselit ku flitet për vetmenaxhimin për komunitetin serb dhe jo për komunat.
“Vetëmënaxhimi i përket nenit 7, që thotë vetëmenaxhim për komunitetin serb, jo komunat. Nëse vetëmenaxhimi do ishte tek komunat, atëherë do kishte të bënte me vetëqeverisjen lokale. Derisa, termi ‘Vetëvendosje’ përmendet në nenin 2 tek subjektiviteti i Kosovës në raport me Serbinë. Vetëmenaxhimi nuk është territorial” – shtoi tutje Kurti.
Me dallime sintaksore, por me përmbajtje afërsisht të njëjtë ishin të gjitha deklarimet e Kurtit për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, më 2 maj, në Bruksel të Belgjikës, Kurti do të diskutojë mbi themelimin e Zajednicës dhe tani, kjo është agjendë e konfirmuar nga BE-ja.
Gjuha e ashpër e opozitarit Kurti
Kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë ishte kundërshtuesi më i madh i themelimit të Zajednicës. Ai kishte kundërshtuar edhe me protesta dhe me çdo mjet marrëveshjen e vitit 2013 dhe atë të vitit 2015 për themelimin e Asociacionit, statutin e të cilit do ta diskutojë më 2 maj në Bruksel.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte shpallur kundërkushtetuese, kryeministri Albin Kurti atëbotë kishte deklaruar se: “Zajednica ka vdekur. Është obligim i yni që të mos lejojmë ringjalljen e saj”, ndërsa gati ironikisht, ringjallja njëmendtë e kësaj çështjeje ka ndodhur në mandatin e tij si kryeministër.
Edhe më i ashpër Kurti ishte treguar në një fjalim të tij në ditën e 28 nëntorit ku fliste për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi teksa kritikonte qeverinë se “po ia jep çerekun e shtetit tonë Serbisë përmes Zajednicës që na bosnjizon.”
Viti 2015 ishte vit i deklarimeve të ashpra nga Kurti. Në një tjetër rast, ai kishte deklaruar se “Zajednica” përbën kthim të Serbisë në Kosovë dhe e njëjta do të sjellë luftë për gjeneratat e ardhshme në Kosovë, madje këtë e kishte deklaruar me garancë.
“Është një kthim i Serbisë i cili do të na sjellë luftën për brezin e ardhshme, sepse kur bëhen bashkë këto 10 komuna në një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tan luftën e kanë te dera. Atëherë të gjithë duhet të shqetësoheshin, sepse me Zajednicën te dera e kemi luftën te dera. Me këtë Zajednicë i garantohet lufta brezit të ardhshëm”.
“Serbofil”, e kishte cilësuar opozitari i dikurshëm Kurti këdo që e pranon Zajednicën në një paraqitje televizive në KTV.
“Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Fillimisht e decentralizuan Kosovën në baza etnike, e tash po e centralizojnë mbi baza serbe. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil”, deklaronte me ashpërsi opozitari Kurti.
“Kushtet” e Kurtit mbetën vetëm postim në Facebook?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociaconit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë që fillonin nga përputhja e tij me Kushtetuten dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Përveç kësaj, Kurti kishte vendosur si kusht që Asociacioni të jetë multietnik dhe të ndërrojë emrin, në mënyrë që të mos ketë asnjë pushtet publik ose ekzekutiv, por t’i shërbejë vetëm një bashkëpunimi horizontal të komunave.
Kurti gjithashtu kishte kërkuar edhe parimin e reciprocitetit në trajtimin e të drejtave të pakicave dhe gjithashtu shuarjen e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës, bashkë me dorëzimin e të gjitha armëve ilegale.
Asociacioni sipas Kurtit do të duhej të zbatohej pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
“Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.”, thuhej në “kushtin” e gjashtë të Kurtit.
Përderisa një përgjigje ndaj këtyre kushteve kishte ardhur nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak i cili u deklarua se “nuk ka hapësirë për kreativitet” në këtë çështje, shumica e këtyre kushteve duket se kanë mbetur vetëm si një relikt i momenteve të fundit të qëndresës së Kurtit karshi Asociacionit.
“Por ka mundësi që kur nuk je i korruptuar e nuk mund të të shantazhojnë, nuk e përjeton as trysninë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë shumë shpesh kritik ndaj politikanëve në Kosovë për “dëgjueshmërinë” e tyre ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare. Këtë diskurs, Kurti e adoptonte sa ishte në opozitë, por edhe në ditët e para kur e shijoi postin e kryeministrit, derisa krenohej se mbi të nuk mund të ushtrohet presion.
Një deklaratë e tillë e Kurtit e vitit 2020 ka bërë bujë të madhe saherë është rikthyer në vëmendje. Ai, para gazetarëve mburrej se nuk mund t’i bëhet presion dhe tregonte kurreshtjen e tij për të ditur se si duket ai presion. Madje, Kurti e lidhte mundësinë për trysni e presion me të qenit i korruptuar.
“Nuk ka trysni mbi mua. Nuk ka presion mbi mua. Ata që kanë përjetuar trysni duhet ta tregojnë se si duket ajo trysni, por edhe më tutje jam kurreshtar të kuptojë se si duket ajo trysni. Po ka mundësi që kur nuk je i korruptuar e nuk mund të të shantazhojnë, nuk e përjeton as trysninë”, thoshte Kurti në vitin 2020.
Në këtë drejtim, qasja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndryshoi në vigjilje dhe pas takimeve të Brukselit dhe të Ohrit ku u dakordua për planin evropian si platformë për ecje përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, respektivisht mbi Aneksin e Zbatimit të kësaj marrëveshje.
Disa ditë pas kësaj, Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar se anashkalimi i obligimeve të kondensuara nga marrëveshjet do të përcjellet me pasoja, politike, të reputacionit poer edhe pasoja financiare.
“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare”, kishte deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
I prerë në deklarimet e tij ishte treguar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, i cili u angazhua aktivisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, teksa hidhte dyshime vetëm mbi qeverinë që do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit, por jo nëse e njëjta do të zbatohet.
“Unë do t’ju jap një shembull. Por më lejoni të filloj këtu: këtu nuk bëhet fjalë për Kurtin. Kosova e ka nënshkruar këtë marrëveshje. Dhe Qeveria e Kosovës është e obliguar ligjërisht ta zbatojë atë. Është një detyrim ligjor ndërkombëtar ekzistues. Kështu e shohim ne. Është në marrëveshjen e Brukselit, është në këtë marrëveshje, është në konkluzionet e Këshillit të Evropës, ka dhënë politikat tona. Do të bëhet realitet. Kjo do të ndodhë. Pyetja e vetme është se cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë atë. Sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë” – kishte deklaruar ai.
Asociacioni “mbërrin” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara para takimit të 2 majit
Siç u konfirmua të premtën nga Brukseli, më 2 maj atje do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të takimeve të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në këtë takim do të miratohet deklarata për Personat e Zhdukur dhe do të prezantohet draft statuti i parë i “Zajednicës”.
Pak ditë para kësaj, teksa në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po diskutohej për raportin e UNMIK-ut mbi situatën në Kosovë, thirrjet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u bënë kryefjalë e takimit ku shtete të rëndësishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe e Franca kërkuan që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe që “Zajednica” të formohet menjëherë.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fjalën e tij ka lavdëruar Kosovën dhe Serbinë për hapat në marrëveshjen siç e ka quajtur ai “ligjërisht të obligueshme” në Bruksel dhe Ohër, derisa ka kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë hapi i radhës në këtë drejtim.
“Shpreh lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrjen e hapave përpara me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme në Bruksel e Ohër. Ftojmë shtetet të lëvizin me shpejtësi në zbatimin e tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin. Shpresojmë të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin mes liderëve në Bruksel më 2 maj, pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jetë hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.”, tha ai.
Edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe pati kërkesë të njëjtë. Ai është shprehur që palët e përfshira në dialog duhet të ndalin retorikën nxitëse dhe të angazhohen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne mirëpresim progresin e arritur në dialogun e Kosovës dhe Serbisë, përfshirë marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit dhe koha është që të dy palët të angazhohen në dialog me mirëbesim dhe të shmangin retorikën e ashpër dhe të angazhohen për normalizim të marrëdhënieve. Kosova dhe Serbia janë zotuar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të dy palët duhet të angazhohet që kjo të ndodh.”, tha ai.
Themelim “të menjëhershëm” të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka kërkuar edhe Franca, të cilët kanë përshëndetur marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër.
“Mund të them se tonalitet i dy ministrave të punëve të jashtme nga Serbia dhe Kosova ka qenë i përcjellë me telashe. Ne lavdërojmë përkushtimin e të dy palëve për të arritur marrëveshje parimore në Bruksel dhe atë të Ohrit falë përpjekjeve ndërmjetësuese të BE-së. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë pa komprometim të marrëveshjeve të kaluara, kjo përfshin formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që duhet të bëhet menjëherë.”, ka thënë përfaqësuesja e Francës.
Kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka pasur edhe nga Serbia dhe Rusia, këta të fundit – duke nënvizuar se versioni i një Asociacioni që nuk ka kompetenca ekzekutive duhet të refuzohet, duke ia bërë kështu argatin Serbisë në kërkesat e tyre.
Asociacioni s’del jashtë modeleve evropiane?
Emisari i veçantë i Bashkimit Evropian është deklaruar përpara takimit të 2 majit, derisa ka theksuar se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është çështje e ndjeshme dhe ka thënë se kjo është mundësi për qartësimin e marrëdhënieve midis qeverisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë.
“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës”, tha Lajçak.
Ai më tutje, ka thënë se për themelimin e “Zajednicës” do t’iu përmbahen modeleve ekzistuese evropiane.
“Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë Asociacioni, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, u shpreh Lajçaku.
Se cilat janë modelet në të cilat Bashkimi Evropian po synon t’i shohë si model për themelimin e Asociacionit nuk është e ditur për publikun, por, deklarimi i Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri që planifikohet të ndodh pas takimit 2 majit mund të qartësojë më shumë rreth hapave të themelimit të “Zajednicës”.