Lajme
Kurti pas letër së Bidenit drejtuar Vuçiqit: Me SHBA-në duhet t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale, janë aleati ynë kryesor strategjik dhe partneri historik
Demokracia
22:15 | 07 Shkurt 2021

Share:

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar letrën që presidenti amerikan, Joe Biden, i ka dorëzuar sot homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë ditës së sotme i ka dërguar një letër homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Në këtë letër, ndër të tjerash Biden i ka kërkuar Vuçiqit që të angazhohet dhe të bëjë hapa përpara rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Kosovën, e që nënkupton njohjen e ndërsjell.

E pas kësaj letre, ka reaguar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas Kurtit, Kosova duhet t’i forcojë marrëdhëniet me SHBA-në, pasi që siç theksoi ai, SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës.

“Unë besoj që me SHBA-në duhet t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale ata janë aleati jonë kryesor strategjik dhe partneri ynë historik është e domosdoshme që në fushën e ekonomisë dhe politikës të bashkëpunojmë më shumë. Biden është një mundësi historike për neve pasi ai e njeh Ballkanin. Ka qenë i përfshirë vetë në marrëdhënie politike,. Ai ka qenë në Kosovë disa herë dhe një rrugë mbanë emrin e djalit të tij”, tha Kurti në një bashkëbisedim me qytetarët në një lidhje direkte në rrjetin social Facebook.

Kurti pati kritika për administratën e Trump dhe politikat e saj në diplomaci.

“Besoj që nuk do i ngjan këtij presidentit të vjetër i cili mendoi se politika dhe biznesi janë të njëjta. E kuptojmë se politika është financa, por sa është ekonomi është edhe histori. E kur historia harrohet ajo përsëritet. Në rastin e Serbisë kemi krimet që i kanë kryer gjatë luftës e që janë histori. Ajo nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, krimet ndaj njerëzit dhe gjenocid. Duhet të kërkojmë përgjegjësi atje. Nuk po arrijmë të kalojmë këtë edhe 20 vjet pas çlirimit dhe 13 vjet pas pavarësisë”, tha ai.

Në fund Kurti komentoi edhe vetë letrën e Biden drejtuar Vuçiq dhe pati një kërkesë shtesë.

“Mendoj se ishte një letër e cila tregoi esencën ku presidenti i SHBA-së i bënë të qartë atij të Serbisë se njohja e Kosovës duhet të ndodhë. Kjo duhet të ndodhë gjithsesi dhe është e pakuptueshme pse nuk ka ndodhur. Unë besoj që kjo nuk ka më nevojë të diskutohet. Statusi i Kosovës dihet, ajo është e pavarur. Duhet të flasim për statusin e Serbisë. Për kushtetutën e saj e cila ka mbetur prapa. Kushtetuta e shkruar nga Koshtunica i cili ishte dëbuar pasi kishte kundërshtuar autonominë e Kosovës. Edhe ai ishte i tepërt nga serbomadhët. Nuk duhet ta problematizojmë Kosovën dhe sovranitetin e saj. Por duhet ta diskutojmë statusin e Serbisë dhe Kushtetutën e saj”, shtoi ai në këtë bashkëbisedim me qytetarët. /Demokracia.com/

Të ngjashme