Lajme
Kurti “paranojak”, flet për minim të punës së Qeverisë – ankohet edhe për mediat
Demokracia
13:38 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Në paraqitjen e tij të fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur t’i kritikojë mediat, duke u kërkuar kështu në njëfar mënyre aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që “të bëhen” gazetarë.

Në mbledhjen e fundit të partisë së tij, Kurti deklarimin që e nisi duke u kërkuar aktivitëve të jenë afër me qytetarin, e përfundoi me aludime për mediat.

“Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik me të.” – tha fillimisht ai.

“S’po na i publikojnë vendimet”

Ndonëse mediat në shumicën e rasteve publikojnë vendimet e marra nga Qeveria dhe raportojnë në lidhje me to, e madje edhe kritikojnë kur është për të kritikuar, Kurti pretendoi se shumica e tyre nuk paraqiten fare.

“Shumë nga lajmet apo vendimet që merr Qeveria jonë, nuk paraqiten fare, ose në rastin më të mirë, paraqiten pjesërisht në pjesën dërrmuese të spektrit mediatik në vendin tonë. Ne nuk kemi zgjedhur e as nuk do t’i zgjedhim metodat e pararendësve tanë për sponsorime që janë fasadë. Ne kemi komunikuar në vazhdimësi me qytetarët, s’e kemi ndërperë komunikimin me ta.” – u shpreh ai.

Kështu, Kurti më pas u kërkoi zyrtarëve të partisë së tij që t’ua shpjegojnë qytetarëve vendimet, pasi “vetëm kështu” informacioni është objektiv, i drejtë dhe i padevijuar.

“Të arriturat e Qeverisë, vendimet që merren, duhet paraqitur e shpjeguar për qytetarët, nga strukturat e lëvizjes. Vetëm kështu, informacioni është objektiv, i drejtë dhe i padevijuar.” – deklaroi shefi i Qeverisë.

Kryeministri i vendit s’u ndal me kaq, ai pretendoi për një dëshirë që të minohet merita e institucioneve dhe Qeverisë së drejtuar nga ai, shkruan Nacionale.

“Shumë nga vendimet tona, skemat mbështetëse, masat kanë prekur direkt qytetarët. Jo edhe shumë dihet e flitet për to, sepse duan të minohet sa më shumë merita e institucioneve e qeverisjes demokratike.” – deklaroi Kurti.

“Qëllimi i dikujt mund të jetë ky, por jo edhe i yni, qëllimi ynë është informimi i drejtë te qytetarët.” – u shpreh tutje ai.

Raporti i KE-së

Kur ështe fjala për mediat, vlen të theksohet se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023 tregoi që Kosova ka bërë progres të kufizuar sa i përket lirisë së mediave.

Qysh në fillim, thuhet se gazetarët janë cak i kërcënimeve, fushatave shpifëse e gjuhës së urrejtjes.

“Progres i kufizuar është bërë në adresimin e rekomandimeve nga raporti paraprak. Shqetësimet mbesin ndaj sulmeve fizike dhe kërcënimeve, fushata shpifëse publike dhe gjuhë e urrejtjes drejtuar gazetarëve. Jo të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave janë raportuar te autoritetet, sidoqoftë, në vitin 2022 është parë një rritje e lehtë në numrin e rasteve të raportuara.” – thuhet në raport.

Raporti ka përmendur edhe sulmet nga zyrtarët publikë, duke përfshirë zyrtarët e lartë ndaj gazetarëve.

“Statistikat e Këshillit prokurorial tregojnë se 14 raste të nxitjes së sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve janë në vazhdim e sipër, me nëntë raste të zgjidhura. Në disa raste, zyrtarët publikë, duke përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë, kanë bërë deklarata nënçmuese, shpifje dhe kanë përdorur gjuhë frikësuese ndaj gazetarëve.” – thuhet aty.

Të ngjashme