Vetëm pak orë para se të udhëtonte drejt SHBA-ve, Kryeministri Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, politikanin zviceran, socialdemokratin Fabian Molina.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Fabian Molina, me një kërkim të thjeshtë në Twitter, përmes cicërimave të tij dallohet si një politikan që “e urren” aleancën euro-atlantike NATO.
Sa herë i është dhënë mundësia ai ka kërkuar shpërbërjen e NATO’s, distancimin e Zvicrës nga kjo aleancë, dhe “ka nxjerr vrerë” në përgjithësi ndaj aleancave perëndimore dhe partnerëve të SHBA-së.
“Ishte kënaqësi ta takoj Kryeministrin Albin Kurti sërish në Prishtinë. Së bashku diskutuam mënyrat konkrete për të përmirësuar bashkëpunimin e mirë mes Zvicrës dhe Kosovës dhe për të thelluar miqësinë mes @spschweiz dhe @LVetevendosje”, ka shkruar me 6 maj 2022, Molina në Twitterin e tij, derisa ka shpërndarë edhe dy fotografi nga takimi i tij në Prishtinë me Kryeministrin Kurti.
Socialdemokrati zviceran që në fund të javës që shkoi u prit në Kryeministri nga Albin Kurti, para më pak se një viti, kishte kërkuar shpërbërjen përfundimtare të NATO’s. Ai, aleancën euro-atlantike që ndërhyri në Kosovë në vitin 1999 për t’i ndalur masakrat e Millosheviqit dhe çlirimin e Kosovës nga regjimi serb, e sheh si aleancë speciale të dhunshme të Perëndimit.
“NATO duhet të shpërbëhet përfundimisht! Kjo aleancë speciale e dhunshme e Perëndimit kontribuon vetëm në destabilitet, tensione gjeopolitike dhe ikje në botë. Dhe është pengesa për sigurinë kolektive në planetin tonë”, kishte cicëruar politikani zviceran më 19 gusht 2021, periudha kur Presidenti amerikan Joe Biden kishte njoftuar tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
Mysafiri i Kryeministrit Kurti, në tetor të 2018-ës kishte mbajtur qëndrim pro-rus në raport me shtrirjen e NATO-s në vendet skandinave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Madje, dislokimin e 50 mijë ushtarëve të Perëndimit në Norvegji, Molina e shihte si nxitje për luftë, duke i injoruar “teket” dhe sjelljet e Putinit.
Socialdemokrati zviceran, që fundjavën që shkoi iu hapën dyert për vizitë në Kryeministrinë e Kosovës, shkonte aq larg sa veprimet e NATO’s i shihte si provokim për Rusinë.
“NATO po nxitë luftë në Norvegji. Janë dislokuar rreth 50.000 (!) ushtarë. Ky është një provokim i panevojshëm për Rusinë, duke rritur riarmatimin dhe duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin. Zvicra do të bënte mirë të mbante distancën nga NATO”, kishte shkruar Anëtari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, më 25 tetor 2018, në Twitter.
Qëndrim pro-rus kishte mbajtur edhe dy vite më vonë, më 16 dhjetor 2020, kur politikani zviceran i kishte reaguar një deklarate të ish-ministrit të Mbrojtjes të Gjermanisë që kishte pohuar se “Rusia mbetet kërcënimi kryesor për NATO-n”.
Për mysafirin e Kurtit deklarata e saktë e Thomas de Maizière do të ishte se “NATO mbetet kërcënimi kryesor për një rend botëror paqësor!”
“Dhe dëshmohet përsëri në 2020: NATO nuk kontribuon asgjë për zgjidhjen e të gjitha problemeve të mëdha të kohës sonë!”, shtonte ai në Twitter.
E kur në prill të vitit 2019 Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Uashington për të festuar 70 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Veri-Atlantikut, Fabian Molina e kishte quajtur “sistem pervers” aleancën e NATO’s.
“Sot ata festojnë. Vendet e NATO-s shpenzojnë rreth 900 miliardë dollarë në vit për riarmatim. Ruajtja e klimës sipas Marrëveshjes së Parisit do të kërkonte 100 miliardë dollarë në vit. Uria dhe varfëria do të jenë gjithashtu histori me paratë deri në vitin 2030. Çfarë sistemi pervers!”, kishte cicëruar në Twitter, politikani i majtë i Zvicrës, me 4 prill 2019.
Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar të martën sqarime nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës në lidhje me pritjen që i ka bërë Kryeministri Kurti politikanit zviceran “që e urren” NATO’n, por deri në momentin e botimit të këtij artikulli ata nuk janë përgjigjur.
Vlen të ceket se në njoftimin për takimin me Kurtin, Fabian Molina lë të kuptohet se nuk është hera e parë që ai në Prishtinë pritet nga kryeministri. Ky i fundit, në rrjetet e tija sociale, nuk ka shpërndarë ndonjë njoftim për pritjen e politikanit zviceran, javën që shkoi.
Krahas qëndrimeve të tij të ashpra kundër NATO’s, Fabian Molina ka publikuar në Twitterin e tij edhe një ose dy reagime për pushtimin rus në Ukrainë. Por, përkundër masakrave që trupat e Putinit po kryejnë ndaj popullsisë ukrainase, reagimet e tij për pushtuesin rus janë dukshëm më të balancuara dhe flasin vetëm për shkelje të ligjit ndërkombëtar.