Lajme
Kurti nuk u takua me Gjonbalajn dhe Blakajn gjatë “shëtitjeve” në tokën amerikane
Demokracia
16:09 | 19 Maj 2022

Share:

Emrat e të dyve i përdori për fushatë elektorale, por gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti as nuk i takojë Gazmend Gjonbalajn e Elez Blakajn.

Vizita e zbehtë e Kurtit në SHBA po vazhdon edhe më tutje, me vetëm një takim të rëndësishëm të zhvilluar te disa shkallë me Këshilltarin e Sigurisë, Jake Sullivan, raporton Demokracia.com.

Kurti, siç tregoi edhe bashkëpunëtori i tij Armend Muja, si duket në SHBA shkojë për ta realizuar ëndrrën e tij të kamotshme, që të takohej me përfaqësuesit e bizneseve, si “Microsoft” e “Uber”.

Avancon Armend Muja, tash i shpalos edhe ëndrrat e Kurtit

Por, në kuadër të kësaj vizite, Kurti nuk është parë askund me dy figurat emblematike të fushatës së tij zgjedhore, Gazmend Gjonbalajn, biznesmenin shqiptar që jeton në SHBA, si dhe Elez Blakajn, ish-prokurorin, i cili po ashtu është vendosur në Amerikë.

Kurti nuk ka njoftuar për ndonjë takim me biznesmenin Gjonbalaj, mbështetësin e tij që kishte premtuar se nëse LVV fiton zgjedhjet do t’i investonte në Kosovë 50 milionë dollarë.

Këtë premtim e kishte përdorur edhe vetë Kurti, duke e shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, por këto para nuk u investuan asnjëherë në Kosovë.

Elez Blakajn, ish-prokurorin që tani jeton në SHBA, Kurti për një kohë të gjatë e përdori për fushatë, duke premtuar se do ta rikthente në Kosovë e do ta bënte kryeprokuror.

“Prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë… Atë do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit dhe nuk do të guxojë askush që ta kërcënojë”, kishte thënë Kurti.

Siç duket, Kurti nuk e ka takuar as Blakajn, emrin e të cilit e përdori për fushatë politike.

Kryeministri Kurti ka marrë kritika të shumta për qëndrimin e tij të gjatë në SHBA me paratë e shtetit.

Vizita e tij pritet të zgjasë edhe pak ditë, ndërsa mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë sadopak të nxirret disi me një takim me zëvendëspresidenten amerikane, që kjo vizitë e tij të mos cilësohet si tërësisht e dështuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme