Lajme
Kurti nuk tregon çka bisedoi me QUNIT-in, por paralajmëron seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit
Demokracia
13:52 | 14 Janar 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me anëtarët e vendeve të QUINT-it ka dalë para gazetarëve por nuk ka dhënë ndonjë informacion se çka kanë biseduar.

Kurti ka thënë se për takimin do të njoftohen në një komunikatë të përbashkët të Kuvendit, Presidencës dhe Qeverisë.

“Unë po shkoj në kryeministri që ta përgatisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër të Kuvendit të Kosovës, në ora 14:00”, ka thënë Kurti, shkruan Demokracia.com.

Kujtojmë që Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian i kanë bëre thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në referendumin e Serbisë.

Sipas QUINT-it duhet lejuar organizimi i procesit të votimit në përputhje me praktikën e mëhershme, ku misioni i OSBE-së merret me grumbullimin e votave.

Përmes një komunikate të përbashkët, këto shtete kanë thënë se vërejnë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Tutje, u bëhet thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë “që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë.

Deklarata e plotë:

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbise që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal. /Demokracia.com/

Të ngjashme