Lajme
Kurti: Nuk kam urrejtje ndaj SBASHK-ut, por s’i pranojmë shantazhet e tilla “i dua kaq para”
Demokracia
14:06 | 15 Shtator 2022

Share:

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar për Pakot e shpërndara për qytetarët të cilët kishin më tepër nevojë sa i përket përkeqësimit të situatës ekonomike në vend.

Ai tha se me përfaqësuesit e Sindikatave kanë pasur diskutime të vazhdueshme, me mbi 30 takime e ku s’ka munguar as bashkëbisedimi as dialogu

“Me krerët e SBASHK-ut takohet ministrja e Arsimit, me krerët e BSPK-së jam takuar unë dhe të gjitha degët sindikale kanë takuar ministrat përkatës. Takimin e fundit që pata nuk ishte me ndonjë degë të sindikatës, por me Këshillin Grevist dhe ky takim u zhvillua me thirrjen time. Pra nuk është problemi tek mungesa e komunikimit apo tek ndonjë injorancë, por kemi një mospajtim themelor sepse jam i bindur se në këtë krizë duhet të ia dalim përmes Pakos që mundëson përballjen me inflacion e jo përmes kërkesave partikulare që derisa të votohet Ligji i Pagave, që tashmë është në diskutim publik”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se nuk mund të thuhet se ne i mirëmbajmë në mënyrën demokratike financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën që t’i japim një shtesë të caktuar, derisa të bëhet kërkesa për Ligjin e Pagave.

“Përballje me inflacion po, por kërcënim apo shantazh i dua kaq para për çdo muaj derisa të kalon projektligji kështu nuk bën. Ky lloj dizajnimi i kërkesës nuk shkon. Ai 50 uro realisht është më i madh se sa përqindja e rritjes ekonomike kur përkthehet në pagën e mësimdhënësit të mësimit fillor klasor.

Tjetra është që kemi marrë për bazë të gjitha kërkesat jo vetëm të një sindikate dhe jemi përpjekur ti akomodojmë në projektligjin që është në diskutim publik. Por për arsimin jemi përkujdesur që të eliminojmë padrejtësitë ndaj shumë punonjësve ndaj punëtorëve të arsimit. Kemi rritur buxhetin për arsim në 12% dhe këtë shtator kemi promovuar abetaren e përbashkët me Shqipërinë”, shtoi ai.

“Të rrënohen financat e buxheti nëse çdokush bën kërkesa partikulare për veten, duke u thirrur në shportën më të shtrenjtë ushqimore. Për atë ne e kemi pakon e përballjes me inflacionin. Dëshirojmë që mësimdhënësit tanë që nuk e marrin pagën vetëm për vete, por për familje t’i ndihmojmë në familjen e tyre. Tek ne paga merret për familje në shumicë, pra për atë arsye ne po ndihmojmë familjen,. Mësimdhënësi e të tjerët në përgjithësi, duhet që pagën ta marrë për produktivitetin që merr, e ne e ndihmojmë në familjen e mësimdhënësit.Ne e ndihmojmë lehonën, me shtesa për fëmijë, punëtorin në sektorin privat, në sektorin publik, po e ndihmojmë pensionistin e studentin. Pra familjen e çdo mësimdhënësi. Ndërkohë që paga e mësimdhënësit s’do të duhej të lidhet me shportën ushqimore në vetëshërbim, por me ngritjen e arsimit ashtu që të bëhet zhvillimi social e ekonomik në vendin tonë. Unë po e mirëmbajë diskutimin në suazat e përgjegjësisë të qeverisë dhe racionalitetit mendor. Unë s’kam urrejtje as inat ndaj asnjë sindikalisti dhe s’është e vërtetë që me SBASHK-un kam pas marrëveshje më herët apo jemi përkrahur, e vërteta është e kundërt. Më 5 qershor 2017 kur zgjedhjet ishin më 11 qershor, gjashtë ditë para zgjedhjeve, SBASHK-u pat bë memorandum bashkëpunimi e jo me mua. Pra s’është që unë kisha bashkëpunim me ta e tash s’kam bashkëpunim. Ata kanë pasur atëherë bashkëpunim që e kanë edhe tani”, tha ai.

“Ndihmom si vlla, na ndihmo të dalim nga kriza si vlla ami 100 euro. Nuk bën kështu. Nuk mundesh me u sjell me Qeverinë e Kosovës në mënyrë private. Këto janë kohërat e kaluara, marrëveshjet që janë bërë në të kaluarën kanë qenë private unë nuk bëj ashtu. Unë kam ofruar pako për përballje me inflacionin, edhe ajo do të realizohet. Edhe një herë po them: 50 euro që i merr mësimdhënësit jo derisa të kalon Ligji i Pagave por përballje me inflacionin është rritje më e madhe. Çështja është diku tjetër, komplet opozita e mbështet grevën e s’është çudi që deputeti që e përkrah këtë grevë është ai më shumë  shurdhues”, shtoi Kurti.

Të ngjashme