Lajme
Kurti nga Vitia: Zotohemi për drejtësi dhe punësim
Demokracia
18:02 | 08 Shkurt 2021

Share:

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Vjosa Osmani u.d. e presidentes mbajtën sot një takim me simpatizantë e këtij subjekti politik në sheshin e qytetit të Vitisë.

Nga Anamorava, lideri i VV-së, Kurti duke kërkuar nga qytetarët që më 14 shkurt të dalin e të votojnë masovisht për këtë subjekt politik, është zotuar me dy fjalë para elektoratit, drejtësi dhe punësim në qeverisjen e tij.

“Ne do t’i ndihmojmë të gjitha shtresat e shoqërisë, do t’i ndihmojmë edhe pleqtë, edhe fëmijët, të rinjtë, gratë. Po ashtu ndërmarrësit dhe studentët në mënyrë që vendin tonë të dashur ta bëjmë edhe të jetueshëm, e mos të kemi nevojë të migrojmë jashtë vendit, por të jetojmë këtu me nder, me ligj dhe me punën tonë. Dy fjalë janë kryesoret, me dy fjalë ne zotohemi para jush, drejtësi dhe punësim. Jo vetëm me hajna nuk ka shtet, por do tua konfiskojmë pasurinë e pajustifikueshme”, theksoi ai.

Ish-kryeministri Kurti tha se në zgjedhjet e kaluara shumë prej qytetarëve kanë pasur dilema nëse do të votojnë Vjosa Osmanin ose Albini Kurtin, por sipas tij, s’ka më dilema, pasi janë bashkuar për fitore më 14 shkurt.

“Këtu paska fituar numri 127 dhe më 14 shkurt veç ia bëni formalitetin me votimin e juaj masiv. E, fitorja do të thotë 61 deputet e më shumë. Prandaj, më 14 shkurt, të gjithë, secili dilni në zgjedhje ashtu qysh e ka pasur mërgata jonë regjistrimin rekord, edhe ne këtu duhet me votuar masovisht me një pjesëmarrje rekord, ashtu që në mbrëmje, më 14 shkurt kur të numërohen votat të thuhet që shumica popullore u bë shumicë parlamentare dhe ka fituar numri 127. Para një viti e gjysmë kur janë mbajtur zgjedhjet, shumë prej juve kanë pasur dilema a me votua Vjosën a Albinin, a LDK-në a Vetëvendosjen, s’ka më aso dilema, jemi bërë bashkë”, tha Kurti.

Ndërsa, numri dy në listën e partisë së VV-së, Vjosa Osmani tha se duke votuar Vetëvendosjen do të ndalet korrupsioni dhe do të ketë perspektivë e mirëqenie për qytetarët.

“Kushdo që ka pasur dyshime se Vitia i është bashkuar ndryshimit duhet të vijë dhe t’ju shoh sonte juve dhe nuk do të ketë më asnjë dyshim që Vitia ka vendosur “Krejt dhe drejt”. Duke rrumbullakuar numrin 127, ju i thoni jo plaçkitjes e i thoni po perspektivës për vetveten dhe fëmijët tuaj. Prandaj, mos hezitoni që më 14 shkurt ta bëni përnjëmend referendum. Mos hezitoni që t’i jepni të vetmes alternativë për ndryshim besimin tuaj, sepse duke zgjedhur numrin 127 keni me zgjedhur të ardhmen tuaj e keni me i thënë një herë e përgjithmonë jo mashtruesve, keqpërdoruesve të besimit tuaj”, tha Osmani.

Ky subjekt gjatë ditës së sotme ka pasur tubime elektorale edhe me simpatizantë të Vetëvendosjes në Artanë dhe Dardanë. /Demokracia.com/

Të ngjashme