Lajme
Kurti nga shteti që nuk e njeh Kosovën, flet kundër marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë
Demokracia
16:46 | 03 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Uashington, gjatë kohës kur president ishte Donald Trump, ishte kërkesë për një zgjidhje të shpejtë, e cila sipas tij nuk përfundoi mirë.

Kurti në një panel të diskutimit në kuadër të forumit “GLOBSEC” në Sllovaki, ka thënë se “nuk duhet të përkrahet stabiliteti politik, para reformave demokratike”, përcjell Demokracia.com.

“Atëherë kemi pasur një administratë tjetër, e cila po kërkonte zgjidhje të shpejtë, e cila nuk përfundoi aq mirë. Unë po them se nuk duhet të përkrahet stabiliteti politik, para reformave demokratike. BE-ja dhe SHBA-ja, munden që të dyja të kontribuojnë në këtë”, ka thënë ai.

Kurti në këtë diskutim ka folur edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur, ku edhe një herë përsëriti qëndrimin e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

“Megjithatë, ne po provojmë shumë në Bruksel që të arrijmë marrëveshje kur vjen puna te targat dhe energjinë elektrike në veri, si dhe të zhdukurit nga lufta e fundit. Kosova është storie suksesi i njerëzve liridashës të Kosovës. Ne jemi falënderues ndaj shteteve perëndimore. Ballkani Perëndimor është i hapur ndaj BE-së, NATO-s, SHBA-së, por ne nuk mendojmë se duhet të hapemi ndaj fuqive të lindjes, ne përkrahim Procesin e Berlinit, i cili po përkrahet sërish nga kancelari Olaf Scholz”, u shpreh ai.

Politikanët e tjerë në këtë panel diskutimi me Kurtin kanë qenë emisari i BE-së, Lajcak, presidenti malazez Gjukanoviq, kryeministri maqedonas Kovaqevski dhe Emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach./Demokracia.com/

Të ngjashme