Lajme
Kurti: Nga BE-ja s’mora reagim për shkeljet e Serbisë, neni 7 nuk është marrëveshja
Demokracia
11:28 | 16 Maj 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pavarësisht që kanë dorëzuar dokumentin me shkeljet e Serbisë të marrëveshjes bazike dhe asaj të Ohrit, deri më sot nuk kanë marrë një reagim nga Bashkimi Evropian.

Kurti e dha këtë deklaratë para gazetarëve, derisa përmendi se dokumentin e dorëzoi në takimin e nivelit të lartë që u mbajt më dy maj.

“Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë.” – citohet të ketë thënë ai nga Ekonomia Online.

Sa i përket takimit të djeshëm mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, kryeministri Kurti ka deklaruar se “neni shtatë nuk është marrëveshja”, kështu që ai thotë se nuk mund të bëhet plani i zbatimit vetëm në këtë nen.

“Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në neni 7.” – ka thënë ai.

Ndërkohë, takimi i djeshëm që u mbajt në Bruksel nën ndërmjetësimin e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, nuk është se dha ndonjë rezultat.

“Nuk është dashtë të priten rezultatet sot. Ky takim ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë. Pra është diskutuar për gjithçka që ka të bëjë me Marrëveshjen e 27 shkurtit.” – ka deklaruar zëvendëskryeministri Bislimi pas përfundimit të takimit.

Të ngjashme