Lajme
Kurti, në nëntor e quante “kurth për të” e në dhjetor vetëofrohet ta shkruajë një Statut për Zajednicën
Demokracia
14:36 | 23 Dhjetor 2023

Share:

Brenda dy muajve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndryshuar drastikisht qëndrimin e tij për idenë e të shkruarit/hartuarit të Statutit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në fillim të nëntorit, Kurti e quante “kurth për të” idenë që ai të shkruante një draftstatut për themelimin e Zajednicës, por pak para fundit të dhjetorit, ai është vetëofruar që të shkruajë një të tillë. Madje, Kurti kishte refuzuar edhe idenë e presidentes Osmani që Kosova ta përgatis me SHBA-në një draft për Zajednicën, shkruan Demokracia.com.

Më 3 nëntor 2023, kryeministri Kurti tregonte nga foltorja e Kuvendit të Kosovës arsyen se përse ai nuk kishte pranuar të shkruajë një draftstatut për Zajednicën. Sipas tij, nëse ai do ta bënte këtë, do të binte në kurth.

“Arsyeja pse unë konsideroj që kishte qenë gabim ta zëmë në majin e qershorin e këtij viti ta shkruajmë një draft-statut për Asociacionin është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft-statutin e deputetes së Serbisë, Daniela Vujiçiq e që është më keq se Republika Serbe, nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft-statut, për mua prej bisedimeve të brendshme ka qenë e qartë se ndërmjetësuesi ka tendencë ta gjejë mesataren dhe ajo mesatare do të ishte shumë e keqe për ne”, deklaronte Kurti.

Këtë gjë, Kurti e kishte bërë të ditur vetëm 13 ditë pasi në zyrën e tij kishte pritur 5 emisarët evropianë [Prishtinë, 21 tetor 2023] të cilët ia prezantuan një draftstatut për themelimin e Zajednicës dhe vetëm 8 ditë pasi kishte shprehur gatishmërinë para liderëve evropianë [Bruksel, 26 tetor 2023] për ta nënshkruar të njëtin dokument pa asnjë ndërhyrje.

Por, 50 ditë pas kësaj deklarate, Kurti ka ndryshuar qasje. Për të, nuk përbën kurrfarë problemi që të shkruajë një Statut për Zajednicën. Pra, nuk është më as një kurth.

Më 22 dhjetor 2023, Kurti u vetëofrua që të shkruajë, siç tha ai, një draft modern evropian dhe në konsultim me ministrat e tij që përfaqësojnë komunitetet.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, shkruajti Kurti në Facebookun e tij.

Kryeministri Kurti kishte refuzuar edhe idenë e presidentes Vjosa Osmani, e cila më 27 shtator 2023, me t’u kthyer nga SHBA-ja kishte prezantuar idenë që Kosova të përgatis një draftstatut të Zajednicës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/Demokracia.com/

https://demokracia.com/asociacionin-ta-pergatisim-me-shba-ne-nje-ide-nga-osmani-qe-rezultoi-e-kote-dhe-nuk-e-degjoi-as-kurti/

Të ngjashme