Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe njëherit ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, në Athinë.
Takimi është mbajtur në margjinat e tryezës ndërkombëtare të thirrur nga The Economist, ndërsa zyra e kryeministrit ka lëshuar një komunikatë lidhur me takimin.
Tutje bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar Pompeon me gjendjen në Kosovë.
“Kurti e njoftoi Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë. U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s”, përfundon komunikata.