Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjobitja për pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale do të fillojë nga data 22 nëntor, deri më 21 janar.
Në një komunikatë për media thuhet se ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data 1nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa KM në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot në mesditë janë shqiptuar rreth 1.740 qortime.
“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një (1) Nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime. Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq udhëtojnë drejt Brukselit. Atje do të priten nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak.
Faza e parë për kalimin nga tabelat ilegale në ato RKS përfshiu qortimin e shoferëve, ndërsa e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm automjete me targa RKS./Demokracia.com/