Lajme
Kurti në botën e çudirave| Fjalori shqip-serbisht në mesin e 12 “sukseseve” të tij
Demokracia
12:32 | 28 Mars 2022

Share:

Qeveria e re e Kosovës ka dështuar në shumë fusha përgjatë vitit 2021, sidomos në atë të diplomacisë. Të zhgënjyer më së shumti nga kjo Qeveri, natyrisht që dolën të jenë vetë votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Pretendimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti të përmbledhura në një “fotografi” për 12 të arritura janë dëshmia më e mirë që Qeveria e tij nuk ka as me çfarë të lavdërohet.

Pak ditë më parë, Qeveria Kurti II mbushi një vit qeverisje. Shumë raportime për dështime diplomatike, mungesë të vizitave, mungesë të zhvillimit ekonomik e punësime të të afërmve të tyre e përcollën njëvjetorin e pushtetit të Kurtit, raporton Demokracia.com.

Kryeministri Kurti këto ditë ka publikuar një “përmbledhje” në llogarinë e tij në Twitter, ku është munduar t’i radhisë 12 të arritura të Qeverisë së tij, ku pothuajse asnjëra prej tyre nuk mund të cilësohet si “sukses”.

Demokracia.com ia ka bërë një analizë të shpejtë kësaj përmbledhjeje të publikuar nga Kurti.

Pretendimi i Qeverisë: Menaxhimi i suksesshëm i pandemisë – më së shumti vaksinime dhe më së paku vdekje në rajon, sipas statistikave zyrtare.

E vërteta: Qeveria Kurti dështoi në sigurimin e vaksinave për qytetarët e saj dhe filloi më së voni vaksinimin krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Shumica e vaksinave që kanë ardhur në Kosovë janë donacione të vendeve të tjera dhe në mungesë të arritjeve të tjera për t’i promovuar, Albin Kurti edhe pas dy vjetësh pandemi vazhdon të dalë e t’i pres vaksinat në aeroport me ceremoni zyrtare, sa herë që ato na vijnë si donacione.

Pretendimi i Qeverisë: 10.53 për qind rritje ekonomike, 83.6 për qind rritje e eksporteve, 31 për qind rritje në të hyrat e buxhetit dhe 25 mijë vende të reja pune.

E vërteta: Rritja ekonomike për mbi 10 për qind dhe pretendimi i Kurtit për hapje të 25 mijë vendeve të reja të punës, janë demantuar disa herë nga shifrat zyrtare të Bankës Botërore dhe njohësit e çështjeve ekonomike në vend. Kurti po i referohet vetëm rritjes nominale dhe jo rritjes reale të ekonomisë. Rritja reale e ekonomisë përllogaritet duke e marrë parasysh edhe rritjen e normës vjetore të inflacionit, që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës këtë vit është 4.9%, më e larta në historinë e Kosovës. Por, rritja ekonomike është e natyrshme që duhet të jetë më e madhe krahasuar me vitin paraprak kur Kosova kishte tkurrje të aktivitetit ekonomik prej minus 5.3 për qind për shkak të pandemisë. Ndërsa, rritja e vlerës së importeve dhe eksporteve është kryesisht rritje në vlerë dhe jo në sasi, pasi që kemi inflacion të madh të çmimeve të produkteve, shkruan Demokracia.com.

Veç kësaj, njohësit e çështjeve ekonomike kanë konfirmuar se regjistrimi i punëtorëve të rinj i është dukur Kurtit si hapje e vendeve të reja të punës, duke e hedhur poshtë kështu edhe pretendimin e tij për hapjen e 25 mijë vendeve të reja të punës.

Pretendimi i Qeverisë: Mbi 1.1 ton drogë u sekuestruan, 54 grupe kriminale janë shkatërruar, 270 zyrtarë të shtetit janë arrestuar për korrupsion dhe abuzim të detyrës.

E vërteta: Hetimet për shumicën e operacioneve për arrestimin e zyrtarëve publikë, gjë që ndodhi gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, sipas raportimeve, kishin nisur muaj më parë para se Kurti të bëhej kryeministër. Por, ky është proces i rregullt dhe është sukses i prokurorisë së shtetit, jo i ekzekutivit të shtetit, pasi që pushtetet janë të ndara në Kosovë.

Pretendimi i Qeverisë: Nisja e reformave ligjore për vettingun e sistemit të drejtësisë, konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, gjykatat tregtare dhe transparencën në financimin e partive politike.

E vërteta: Reformat ligjore për vettingun nuk kanë nisur ende, pavarësisht se për këtë çështje është diskutuar shumë. Së pari duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Pretendimi i Qeverisë: Rritja e mirëqenies sociale, shtesa mujore për nënat dhe fëmijët. Pensionet u rritën me 11% dhe ato për invalidët veçanërisht me 33%.

E vërteta: Qeveria e re e Kosovës ndan 10 euro për fëmijë çdo muaj, me të cilat nuk plotësohen as nevojat më të vogla të tyre. Sa i përket rritjes së pensioneve, Qeveria Kurti II e mori këtë vendim pasi fillimisht i uli ato në kuadër të masave emergjente, gjë për të cilën u kritikua shumë.

Pretendimi i Qeverisë: Buxheti për mbrojtje është rritur për 52 për qind. Kosova ka marrë pjesë në Defender Europe 2021 bashkë me 26 shtete të tjera, 16 prej tyre shtete pritëse, me 330 ushtarë.

E vërteta: Pjesëmarrja e Kosovës në Defender Europe 2021 është sukses i ushtrisë së Kosovës, por jo për Qeverinë. Kjo pjesëmarrje është mundësuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët e mbikëqyrin tranzicionin 10 vjeçar të FSK-së.

Pretendimi i Qeverisë: Shkollimi publik, 1365 bursa shkollimi për vajzat studente në fushën STEM. 500 bursa shkollimi për minoritetet. Fjalor digjital shqip-serbisht me 40 mijë fjalë.

E vërteta: Bursat e shkollimit natyrisht se janë të nevojshme për shumë studentë, por Qeveria Kurti erdhi në pushtet duke premtuar në veçanti arsim më të mirë, gjë për të cilën puna as që ka nisur. Sa i përket fjalorit shqip-serbisht, ky as nga kryeministri nuk do të duhej të trajtohej si e arritura më e rëndësishme në arsim. Vetë fakti që këtë e konsideron si të arritur tregon për dështimet e mëdha në arsim.

Pretendimi i Qeverisë: Ringjallja e ndërmarrjeve publike – bordet e reja të drejtorëve të gjashtë NP-ve, rihapja e terminalit doganor të Trepçës dhe investimet prej 70 milionë euro në Telekom dhe Trepçë për vitin 2022. Park me erë me 27 turbina, 105 MW.

E vërteta: Kurti nuk i “ringjalli” ndërmarrjet publike, por i mbushi ato me persona të afërt dhe militantë partiakë. Shumë media kanë raportuar për persona të afërt të Kurtit që janë emëruar anëtarë të bordeve, gjë për të cilën Kurti i kishte kritikuar shumë pushtetet paraprake. Demokracia.com e kishte publikuar edhe një kërkesë alarmante të KOSTT-it, përkatësisht u.d. Kryeshefit Ekzekutiv, Kadri Kadriu, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, e cila alarmonte se kjo ndërmarrje është në prag të falimentimit, pasi që humbjet e shkaktuar në veri të Kosovës në vitin 2021 ishin 41 milionë euro, nga të cilat vetëm 33 milionë euro u mbuluan nga buxheti i KOSTT-it.

Pretendimi i Qeverisë: Përfundimi i monopoleve – Fiskalizimi i qendrës së skijimit në Brezovicë, zhbllokimi i rrugëve në terminalin doganor në Han të Elezit dhe heqja e lejes korruptive për homologimin e veturave.

E vërteta: Qeveria Kurti vendosi taksë 5 euro shtesë për çdo veturë të regjistruar, vetëm për një tiketë, duke u përpjekur të krijojë monopole të reja. Një vendim i tillë shqetësoi tejmase qytetarët e Kosovës, të cilët pas presionit e detyruan Qeverinë të tërhiqej nga “monopoli i parë” i tij.

Pretendimi i Qeverisë: Përkrahje ndaj agrikulturës, 70 milionë euro për fermerë dhe një rritje prej 216 për qind e subvencioneve për hektar për grurin.

E vërteta: Rritja e subvencioneve për grurin është bërë pas krizës së grurit, por kjo rritje nuk ndikon asgjë në prodhimtarinë e sivjetme dhe as në korrjet e këtij viti, pasi që gruri në Kosovë është mbjellë në vjeshtën e vitit 2021 dhe korret në këtë vit. Po ashtu, kjo rritje nëse analizohet kostoja e prodhimit për një hektar grurë, përveç që tejkalon edhe qëllimin e vetë subvencionit si përkrahje direkte, ajo mbulon edhe një pjesë të fitimit të kultivuesve, gjë që nuk është qëllim në thelb i kësaj mase. Në ekonomi është një thënie: “Kur ec, taksoje. Kur ngec, subvencionoje”. Bujqësia e Kosovës është e fundit me investime në rajon dhe jo konkurruese, pasi që shumica e vendeve të tjera i kanë kryer investimet e mëdha dhe tashmë e kanë stabilizuar si sektor.

Pretendimi i Qeverisë: 13 ambasadorë dhe 4 konsuj të shkarkuar. Nga 31 ambasada në total, 19 ambasador të karrierës, 6 ambasadorë politik. Numri më i lartë ndonjëherë i vizitave të nivelit të lartë në Kosovë dhe jashtë.

E vërteta: Para dy ditësh, Kurti u turpërua para një diplomateje të shkarkuar, duke i thënë që nuk dinte asgjë për shkarkimin e saj. Por, në anën tjetër, ai këto shkarkime po i konsideron si suksese të qeverisë së tij, shkruan Demokracia.com. Duke mos pasur asnjë sukses në politikën e jashtme, asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Madje, duke mos pasur as edhe një vizitë të vetme të rëndësishme bilaterale jashtë vendit, paketimi i shkarkim-emërimeve, i këtij procesi tërësisht teknik, kur shihet si sukses në politikën e jashtme, kjo dëshmon që kryeministri Kurti nuk ka ide as çfarë është diplomacia shtetërore.

Demokracia.com ditë më parë kishte raportuar se kryeministri Kurti është i pari në historinë e Kosovës që s’e ka vizituar SHBA-në gjatë vitit të parë të qeverisjes.

Pretendimi i Qeverisë: Strehimi i 1449 refugjatëve afganë, oferta po qëndron për pranimin e 20 gazetarëve dhe 5000 refugjatëve ukrainas.

E vërteta: Kosova vetëm është pajtuar me strehimin e afganëve, pasi që të gjitha procedurat për strehimin e tyre dhe më pas largimin nga vendi, janë realizuar nga SHBA-ja, më konkretisht Ambasada Amerikane. Afganët kanë qenë të vendosur në kampin amerikan në “Bondsteel”. Ndërsa, gazetarët dhe refugjatët ukrainas nuk kanë ardhur ende në Kosovë dhe nuk dihet se a do të vijnë. Megjithatë, trajtimi i kësaj çështjeje si sukses nga ana e Kurtit është vërtet për t’u shqetësuar për racionalizmin e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme