Lajme
Kurti: Mund të hapen tema ndërmjet Kosovës e Brukselit, por jo edhe me Serbinë
Demokracia
16:56 | 08 Shtator 2021

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot, pas takimeve dy ditore të ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Duke thënë se janë takime përgatitore për dialogun që do të ketë kapitull të ri.

Kurti gjatë një konference për media, pas një vizite në IKSHPK,  ka thënë se çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, është tema e vetme që nuk pret në dialogun me Serbinë.

“Unë jam i informuar përgatitjet që i ka bërë Bislimi, por këto janë takime përgatitore të një kapitullit të ri, por është një çështje që nuk pret, çështja e të pagjeturve. Bashkë me zëvendëskryeministri Bislimi ka udhëtuar edhe udhëheqësi i delegacionit dhe Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti sepse nuk mund të presim për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke brenda me Serbinë kur janë në pyetje familjarët e 1,630 qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pikëlluar që nuk i kanë të dashurit e tyre edhe 20 vjet më vonë, edhe nëse e dinë që janë të vdekur”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se “ka vetëm një temë që nuk pret është çështja e të pagjeturve të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, dhe për këtë me siguri do të diskutohet në Bruksel”

“Mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit mirëpo jo edhe me Serbinë”, ka thënë tutje ai.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi sot se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme