Lajme
Kurti merr goditje nga ish-kryetari i VV-së: E ktheu Asociacionin në “urgjencë absolute” pa këmbim të njohjes nga Serbia
Demokracia
16:50 | 09 Shkurt 2023

Share:

Ish-Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, vlerësoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka kthyer “në urgjencë absolute” në vend të se të luftonte për njohjen si “urgjencë absolute”.

“Në vend se të luftonte për njohjen si urgjencë absolute duke e pranuar Asociacionin si kompromis në këmbim të saj, Kryeministri Kurti luftoi kundër Asociacionit duke e kthyer themelimin e tij në urgjencë absolute pa e pasur njohjen si kërmbim për të”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Krejt këtë Ymeri e quajti “Asociacion për Organizata Ndërkombëtare” dhe të ngjashme me gjendjen në vitin 2013, derisa edhe shtroi pyetjen se “a është ky avancim”.

Shkrimi i plotë i Ymerit:

ASOCIACION PËR ORGANIZATA NDËRKOMBËTARE. KU ËSHTË DALLIMI ME 2013?

Plani evropian duket të jetë dokument kornizë që vendos parimet e përgjithshme të rrugës përpara në dialog. Kështu e tha edhe Kryeministri sot në seancë. Ky dokument parimesh nuk e vendos njohjen reciproke si njërin prej parimeve. Këtë po ashtu e pranoi KM sot në seancë.

As nuk është kornizë parimesh që parasheh marrëveshje përfundimtare, e që thërret e parashikon mekanizma që do ta bënin marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Mirëpo Kryeministri e tha që Plani evropian do të negociohet. Natyrisht. Mirëpo ma thoni cili proces negociator ka dhënë ndonjëherë rezultat që është në kundërshtim të plotë me parimet bazë të dakorduara paraprakisht? Kur i pranon parimet bazë e ke pranuar kornizën e ngurtë sipas së cilës do të shkruhet marrëveshja.

Pyetja themelore këtu: A është ky proces dialog për njohje? A jemi dakorduar me BE dhe Serbinë se të gjithë e kuptojmë që është dialog për njohje? Duket se jo. Jemi dakorduar që kjo është vazhdim i procesit të Brukselit. Proces që maksimalisht mund ta avancojë normalizimin e marrëdhënieve. Ta rris numrin e organizatave ndërkombëtare në të cilat anëtarësohet Kosova (ky si zotim e jo garancë).

Ndërkohë që do ta definojë dhe zbatojë kompromisin që e bën Kosova (Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe) dhe do ta lë hapur diskutimin për njohje në një të ardhme të pasaktësuar në kohë. Për më tepër, asnjë fjalë për vendosjen e një standardi të të drejtave që do të zbatohej si në Kosovë për komunitetin serb, ashtu edhe për shqiptarët në Luginë.

Në vend se të luftonte për njohjen si urgjencë absolute duke e pranuar Asociacionin si kompromis në këmbim të saj, KM Kurti luftoi kundër Asociacionit duke e kthyer themelimin e tij në urgjencë absolute pa e pasur njohjen si kërmbim për të. Asociacion për Organizata ndërkombëtare. Ngjashëm me vitin 2013. A është ky avancim?

Të ngjashme