Lajme
Kurti “merakli” i Prevallës, këtë herë i mblodhi kryetarët e komunave në hotelin luksoz
Demokracia
14:32 | 25 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “merakli” që takimet me ministra e zyrtarë të tjerë të lartë t’i organizojë nëpër hotele luksoze. Njëjtë ka ndodhur edhe sot, pasi i ka mbledhur kryetarët e komunave në Prevallë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate për media ka treguar se Kurti me kryetarët e nënkryetarët e komunave, sot kanë mbajtur një takim pune për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”, raporton Demokracia.com.

Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi, ndërsa e pranishme ka qenë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, citohet të ketë thënë kryeministri në këtë takim, raporton Demokracia.com.

Sidoqoftë, Zyra e Kryeministrit, i cili sa ishte në opozitë kritikonte harxhimet e tepërta të pushteteve të atëhershme, nuk ka treguar se në cilin hotel është mbajtur takimi.

Megjithatë, Demokracia.com ka parë se Kurti, Redzepi, Haxhiu, kryetarët dhe nënkryetarët e komunave kanë qëndruar në hotel “Sharri” në Prevallë, i cili është një prej më të shtrenjtëve në këtë zonë.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti zhvillon takime në këtë hotel, pasi që në vitin 2020, pak pasi mori pushtetin kishte mbajtur një mbledhje me ministra atje.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në prill të vitit 2021, ku Kurti me kabinet qeveritar kishin mbajtur një punëtori, e cila siç u tha nga Qeveria kishte të bënte me finalizimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit.

Nuk dihet se sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbajtja e një takimi të tillë në këtë hotel luksoz, por çmimet për një natë atje shkojnë deri në 160 euro./Demokracia.com/

Të ngjashme