Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot në 23-vjeotrin e themelimit të Policisë së Kosovës kanë vizituar vendin ku është vrarë Enver Zymberi.
Nën masa të rrepta të sigurisë, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin Xhelal Sveçla kanë vizituar vendin ku është vrarë polici Enver Zymberi, shkruan Demokracia.com.
Përmes një videoje që ka publikuar Kurti në Facebook, shihet se ai ka vizituar edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut dhe kampin Belvedere në Mitrovicë.
Me shumë vetura e pjesëtarë të mbrojtjes së afërt dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ata qëndruan në veri të Kosovës.
Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:
Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderuam kujtimin e pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, të rënë në krye të detyrës, heroin Enver Zymberi.
Bashkë me Ministrin Sveçla vendosëm lule në vendin e rënies së tij, në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç.
Vizituam edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut, si dhe kampin Belvedere në Mitrovicë.