Lajme
Kurti me fjalë hap mijëra vende pune, të rinjtë masivisht po ikin nga Kosova
Demokracia
19:24 | 07 Janar 2022

Share:

Mbi 83 mijë persona kanë lëshuar vendin për katër vjet, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pa përfshirë ato të vitit 2021. Kjo shifër alarmante po qëndron e vazhdon të rritet, derisa së fundi u raportua se vetëm muajin e kaluar, pra në dhjetor, pati mbi 56 mijë aplikime për vizë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

Shifra e personave, sidomos të rinjve, që po duan të ikin në Kosovë po vazhdon të jetë e lartë, anipse kryeministri Albin Kurti, ditë më parë pretendoi se janë hapur 10 mijë vende të reja të punës, raporton Demokracia.com.

Shefi i ekzekutivit, pavarësisht deklaratave pa kurrfarë fakte, siç duket nuk po ia del ta bëjë Kosovën një vend më të mirë, sidomos në aspektin ekonomik, siç kishte premtuar.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, pak para se të vinte në pushtet, kishte thënë se të rinjtë po ikin pikërisht për shkak të gjendjes ekonomike

“Emigrimi që ndodh te ne natyrisht se ka shkaqe të fuqishme ekonomike. Me këtë deficit tregtar ne po zmbrapsemi nga paraja e pastaj nga njerëzit. Orientimi i gabuar socio-ekonomik natyrisht që shkakton edhe këtë krizë të madhe për njerëzit në vendin tonë”, tha ai

Lexo edhe:

Qytetarët s’i besojnë Kurtit, pasi me imagjinatë i hapi 10 mijë vende të punës

Lidhur me ikjen e të rinjve, Demokracia.com ka biseduar me sociologun Fadil Maloku, i cili ka treguar arsyet e ikjes së të rinjve nga vendi.

“Një studimi i yni (në Shoqatën e Sociologëve) mbi shkaqet e migrimit të të rinjve kosovarë, ka rezultuar, se ata përveç shkaqeve të: papunësisë, varfërisë, krimit, korrupsionit, nepotizmit, konformizmit qytetar,etj. Kosovën po e lëshojnë edhe shkaku i dezorientimit social. Fakti dhe akti i ndërprerjes apo moskultivimit të sjelljeve dhe normave nga ish kodi identifikues dhe standardi i njohur i solidaritetit (ndërfamiljar, gatishmërisë për t’u ndihmuar në kohëra krizash dhe pandemish për të afërmin e komunitetit, ndershmërinë në punë, sinqeritetin dhe fisnikërinë në raport me tjetrin, etj.) në shoqërinë tone, ka bërë që të njëjtit të ndjehen të vetmuar, të injoruar, të padobishëm, të paperspektivë, madje edhe të tjetërsuar nga rrethi i vendimmarrjes së ngushtë familjare”, ka thënë ai.

Sociologu Maloku për Demokracia.com shtoi se të rinjtë kosovarë kanë ndjenja të inferioritetit social, si dhe intuitë të pasigurisë ekonomike.

“Ky tip tjetërsimi apo abstenimi që në një farë mënyre u josh, u “gatua”, e madje edhe u “afirmua” përmes konzumerizmit e hedonizmit të keqkuptuar (që sociologjikisht mund të adresohet si i pavullnetshëm por, i varur nga lakmia, vrulli e epshi!) nga të rinjtë kosovar, arriti të injektoj e amputoj si ndjenjën inferioritetit social ashtu edhe intuitën e pasigurisë ekonomike dhe motivimin për të ikur sa më shpejt nga Kosovë”, tha ai.

Demokracia.com në të dhënat e Agjencisë së Statistikave  të Kosovës ka analizuar emigrimin ndërkombëtar të qytetarëve kosovarë për katër vite, 2017, 2018, 2019 dhe 2020.

Gjatë kësaj periudhe katër vjeçare, plot 83 mijë e 62 persona kanë ikur nga vendi, disa në mënyrë legale, e të tjerë kanë gjetur edhe forma ilegale.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, emigrimi legal ndodhë për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, studime apo punësim.

Kosovarët kryesisht emigrojnë për në Gjermani, e cila ka më shumë vende pune për të huajt.

Së fundi, Kroacia dhe Sllovenia janë bërë destinacione ku të rinjtë e Kosovës po gjejnë punë dhe emigrojnë për një jetë më të mirë.

Sipas raportimeve  të fundit, ikja e të rinjve siç duket ka vazhduar edhe gjatë vitit 2021, pavarësisht premtimeve të Qeverisë aktuale se do ta zhvillojnë ekonominë dhe do të hapin vende të reja punë./Demokracia.com/

Të ngjashme