Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ua hodhi fajin deputetëve të opozitës, duke thënë se ata “u rebeluan kundër betimit të deputetëve”.
Ai e quajti kundërshtimin opozitar për rrugën se si LVV-ja donte të procedonte me seancën konstituive të Kuvendit si “sulm brendainstitucional kundër Republikës së Kosovës”.
‘Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi ai në një postim në Facebook.