Lajme
Kurti mashtron në Ditën Botërore të Shëndetit, raporti që tregon se qytetarët paguan deri në 2 mijë euro ilaçe për Covid-19
Demokracia
18:02 | 07 Prill 2022

Share:

Edhe sot, më 7 prill, në Ditën Botërore të Shëndetit, pas më shumë se dy vjetëve të ballafaqimit me pandeminë COVID-19, kryeministri Kurti ka thënë se përballë tri valëve më të fundit të virusit Corona, Kosova, më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore.

Ndonëse kanë vdekur 3137 qytetarë të Kosovës dhe Qeveria nuk ka arritur t’i sigurojë as ilaqet bazike për luftimin e Covid-19, Kurti po vazhdon të pretendojë se e ka menaxhuar mirë pandeminë, shkruan Demokracia.com.

“Prapa suksesit të Kosovës në menaxhimin e pandemisë qëndron edhe një strategji anti-COVID e cila mund të quhet “vaksinë-plus”. Kjo strategji ka dy elemente kryesore. Së pari, Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, ka treguar shkathtësinë shkencore dhe guximin politik për të vendosur masat më efikase të mundshme të mbrojtjes së shëndetit publik. Së dyti, dhe po aq e rëndësishme, suksesi i Kosovës ka ardhur si rezultat i një fushate tejet të suksesshme të vaksinimit në masë. Vetëm gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2021, janë administruar gjithsej 915,000 doza të vaksinës. Dhe deri më sot, Kosova ka arritur të vaksinojë me të paktën dy doza përafërsisht 2/3 të qytetarëve të grupmoshave 18 vjeç e sipër, duke shënuar shkallën më të lartë të vaksinimit në të gjithë rajonin. Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të administrojë dozën e tretë përforcuese për qytetarët tre muaj pas marrjes së dozës së dytë, gjë që është e domosdoshme për të mbajtur imunitetin tonë në nivelin e duhur përballë varianteve të reja të virusit Corona. Mirëpo, menaxhimi i suksesshëm i pandemisë është vetëm fillimi, jo mbarimi i punës sonë në fushën e shëndetësisë. Madje, pikërisht për shkak të ballafaqimit me pandeminë, jo vetëm rëndësia por edhe brishtësia e shëndetit publik, është bërë më e qartë dhe e dukshme tani sesa kurrë më parë. Pandemia veçse ka nxjerrë në sipërfaqe domosdoshmërinë e një reformimi të thellë në të gjithë sistemin shëndetësor të vendit tonë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Për dallim prej Kurtit, që po vazhdon të propagandojë sipas nevojave të tij politike, tashmë kemi edhe një raport zyrtar, i cili konstaton se institucionet shëndetësore të Kosovës kanë dështuar të sigurojnë edhe ilaçe për pacientët në kohë pandemie, raporton Demokracia.com.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në një raport të publikuar për furnizimin me barna për pacientët, konstaton se nuk është arritur me kohë që të sigurohen materialet shëndetësore për t’i trajtuar pacientët e prekur me COVID-19.

Në të gjeturat e ZKA-s vërehet se ilaçet që janë blerë nga qytetarët që ishin të shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë “Favipiravir’” dhe “Remdesivir”.

“Një sasi prej 12,200 barëra ‘Favipiravir’ 200 mg ishte pranuar gjatë vitit 2020 në formë të donacioneve, prej të cilave në fund të vitit 2020 kishin mbetur 1,100 copë të cilat bashkë me një donacion tjetër prej 1,834 copë të pranuara në janar të vitit 2021 kanë qenë të disponueshme deri në fund të muajit mars”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Por, qytetarët në mungesë të ilaçit “Remdesivir”, as në Klinikën Infektive nuk kanë mundur të furnizohen për shkak të procedurave të prokurimit.

“Ndërsa për ‘Remdesivir’ institucionet nuk kanë mundur të furnizohen asnjëherë shkaku i vështirësive procedurale të prokurimit. Në fillim të aplikimit të gjerë të këtij bari në botë kishte pasur një ngritje enorme të çmimit në tregun farmaceutik në Kosovë krahas çmimit të planifikuar për blerje dhe për pasojë të mungesës së buxhetit të mjaftueshëm për këto blerje ka ndikuar të mos mund të bëhet furnizimi për nevojat e pacientëve me COVID-19”, bënë të ditur raporti i ZKA-së, raporton Demokracia.com.

Sipas Auditorit, numri i pacientëve që janë trajtuar me barin ‘Remdesivir’ për gjashtë (6) muaj në repartin “B” të Klinikës Infektive të QKUK-së, në vazhdimësi është blerë nga pacientët.

“Ky repart është vetëm njëri nga 5 reparteve të Klinikes Infektive të QKUK-së ku janë trajtuar pacientët COVID-19, ndërsa pacientë me COVID-19 përveç kësaj klinike janë trajtuar edhe në katër (4) klinika tjera të QKUK-së dhe 7 spitale rajonale”, thuhet më tej në raport.

Në repartin “B”, njëri nga 5 repartet e Klinikës Infektive të QKUK-së, për periudhën tetor 2020-mars 2021, janë trajtuar 135 pacientë me COVID-19 me ilaçin “Remdesivir”.

Zyra e Auditorit ka arritur në përfundim se një pacient me terapi prej 11 ampulave ka qenë i detyruar të paguajë vetëm për këtë bari si pjesë e terapisë anti-COVID një total prej 1,980 euro.

Auditori ka bërë llogaritjen për 26 pacientë të cilët janë trajtuar në repartin B të Klinikës Infektive e që kanë aplikuar barin ‘Remdesivir”. Të njëjtit gjatë muajit nëntor 2020 kanë paguar në total prej 51 mijë e 480 euro, nëse kanë aplikuar terapi prej 11 ampulave.

Sipas të gjeturave të ZKA-së thuhet se “mungesa e rezervave të këtyre barërave ka pasur për pasojë që pacientët me COVID-19 t’i blejnë këto barëra me financimin e tyre vetanak ose ata që nuk kanë pasur financa të mjaftueshme nuk kanë mundur t’i blejnë këto barëra”.

Në bazë të gjetjes së Auditorit, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur të sigurojnë me kohë dhe një numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Mungesa e analizave të vazhdueshme adekuate të shkruara për identifikimin me kohë të nevojave për personel shëndetësor dhe koordinimit të duhur dhe të vazhdueshëm në mes të institucioneve shëndetësore krahas nevojave për ballafaqim me COVID-19, ka ndikuar në vështirësi për aktivizimin me kohë të numrit dhe profilit të duhur të personelit shëndetësor”, thuhet tutje, raporton Demokracia.com.

Zyra Kombëtare e Auditimit është institucioni që për çdo vit kryen auditime të institucioneve të Kosovës, duke paraqitur shkeljet ligjore që ndodhin gjatë kësaj periudhe.

Në auditim përfshihen të gjitha institucionet e Kosovës, duke nisur nga Presidenca, Qeveria, ndërmarrjet publike, agjencitë dhe komunat./Demokracia.com/

RAPORTI I AUDITIMIT TË PERFORMANCËS: Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19 KËTU

 

Të ngjashme