Lajme
Kurti la gjuhën vulgare për t’iu paraqitur plot mirësjellje Abdixhikut, në LDK s’i harrojnë ofendimet: Përçarës
Demokracia
16:24 | 08 Prill 2025

Share:

Albin Kurti po e pret përgjigjen e Lumir Abdixhikut për një ftesë që ia dërgoi për t’u takuar këtë javë. Kryetari i LVV-së po kërkon të diskutojë për formimin e qeverisë së re me LDK-në, partinë që e krahasonte me mizën, duke performuar me duar mbytjen e këtij insekti. Nga partia, të cilës i referohej me term pezhorativ “LyDyKyhi” e thoshte se “nuk është lidhje, por lodhje” e se “nuk është demokratike por dokrratike”, kryeministrit në detyrë i reaguan zyrtarë të lartë, duke ia kujtuar qasjen përçarëse dhe arrogante.

“Hajvan” dhe “i nderuar”. Për Albin Kurtin duket se është normale që t’i referohet një oponenti politik me fjalën e parë, e dy muaj më pas, për të njëjtin ta përdorë fjalën e dytë – pa ndërruar asgjë në realitet që do të mund ta ndryshonte gjykimin apo përshtypjen e tij brenda tetë javësh.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i kërkoi 500 mijë vota për t’i bërë ndryshimet e mëdha, siç thoshte. Edhe pasi nuk mori më shumë se 42.30% të votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, shprehej i bindur se do t’i bënte votat e mjaftueshme në Kuvend për të qëndruar më tej në pushtet.

Opozitarët, të cilët arritën t’ia merrnin një përqindje të mbështetjes së madhe me të cilën ai ishte bërë kryeministër në vitin 2021, Kurti i quajti “hajvanë” pak orë pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Pas një heshtjeje disa orëshe atë natë, ai ishte shfaqur pak para mesnatës te selia e partisë së tij. “Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, Qeverinë Kurti 3”, iu thoshte gazetarëve.

Bashkë me disa zyrtarë të partisë, pas mesnatës kishte dalë para disa mbështetësve që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet. Thoshte se e kishin mposhtur Serbinë, dhe me një gjuhë brutale nuk e ndrydhte mllefin as pas përfundimit të fushatës elektorale kur u kishte vendosur epitete si “materialistë” e “zuzarë” të gjithë atyre që nuk do të votonin që partia e tij të qëndronte më gjatë në pushtet.

“E keni pa çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thojshin buxheti i shtetit do të bëhet ma i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepshin premtime për koeficient ma shumë se në programin e tyne. Çfarë hajvanash! Po ka kalu koha e hajvanatit”, shprehej Kurti.

Rreth një muaj më vonë, më 4 mars, ai thoshte në një prononcim për gazetarët se s’kishte ndryshuar qëndrim ndaj kundërshtarëve, pasi ishte pyetur për një deklaratë të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, i cili ishte shprehur i hapur të bashkëpunonte me Kurtin.

“I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, uroj që kjo letër të ju gjejë mirë”. Kështu i shkruan Albin Kurti oponentit të tij më 6 prill, dy muaj pasi të njëjtin – sikur edhe kundërshtarët e tjerë politikë – e kishte quajtur “hajvan”.

Në letrën për të cilën Gazeta Express raportoi të hënën, Kurti i kërkon Abdixhikut takim këtë javë, duke ia ofruar dy ditë dhe tri orare të ndryshme si opsione.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet ndër tjerash në letër, e cila mbyllet me këtë fjali: “Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”.

“LyDyKyhi” – ofendimet e Kurtit në fushatë

Me të nisur fushata elektorale për zgjedhjet e fundit parlamentare, Albin Kurti ishte përpjekur t’i vendoste qytetarët në dy pole: kombëtarë e zuzarë. Partitë opozitare i ofendoi vazhdimisht me gjuhë denigruese, për të cilën partia e tij u dënua disa herë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Në popullsinë e në shoqërinë tonë, në politikën e në institucionet tona, nuk ka ‘krah të luftës’ e ‘krah të paqes’, se shqiptarët gjithmonë kanë luftu prej zorit e jo për qef. Por ka të krahut materialist të luftës dhe të krahut idealist të luftës, e ata të krahut idealist të luftës janë në Lëvizje si ngahera, si përherë, si gjithnjë, si përgjithmonë. Rilindasi ynë i madh, ndër rilindasit e fundit, Faik Konica, ka thënë një shprehje lapidare, i ka shumë të tilla por unë përzgjodha njërën sonte. Po e citoj: ‘Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve’. Ne jemi nga ana e kombëtarëve”, thoshte ai në një tubim elektoral në Mitrovicë.

Atje, Kurti i akuzonte partitë e tjera shqiptare edhe për tradhti dhe thoshte se “do të plaken në opozitë, e do të rrokaten në opozitë”. Ato, thoshte ai, “nuk do të kthehen më në pushtet”.

Lideri i indinjuar që kërkon të rizgjidhet kryeministër për herë të tretë, i portretizonte si hajdutë oponentët e tij.

“Premtimet e këtyre tjerëve, premtimet e atyre tjerëve, të dashur qytetarë, i ngjajnë hajnit i cili do me ta vjedhë shtëpinë, por ta premton një bakshish. Kur i dëgjoni ata duke ju premtuar dijeni që ata duan me ta lanë bakshishin pasi ta vjedhin shtëpinë. Por ka kalu koha kur ata bëjnë sfilatë në pushtet e e vjedhin shtëpinë e popullit. Opozita e ka vendin më së shumti në opozitë. Dhe a e dini pse ata nuk vijnë dot më në pushtet? Për shkak të popullit, për shkak të popullit që kurrë nuk i shërbyen me nder dhe asnjëherë nuk e kuptuan tamam”.

LDK-në, si edhe PDK-në, si partitë më të mëdha opozitare, Kurti i ofendonte përditë, duke i akuzuar se ato “e kanë bërë dëmin më të madh”.

Në një tubim të mbajtur në Pejë, komunën që udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, Kurti shprehej kështu: “Këtu, siç e dini edhe ju vetë, LyDyKyhi dhe PyDyKyhi janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjikë për të kaluarën kur kanë keqqeverisë bashkë, por nuk mund të jenë më ëndrrimtarë që kjo përsëritet në të ardhmen”.

Shkoi deri aty sa me një përplasje të duarve e performonte mbytjen e një mize, e këtë insekt e krahasonte me LDK-në: “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LyDyKyhit që thotë se po i pëlqen popullit a populli ka simpati për ta, kjo mua m’i përngjan asaj mizës që thoshte ‘kudo po shkoj po më presin me duartrokitje’. Pra, kur ata thonë që populli po i pëlqen ata, është si ajo miza që lavdohej se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duatrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”.

Në Podujevë, komunën ku LDK-ja gëzon një mbështetje të kahmotshme, Kurti kishte vendosur ta sulmonte këtë parti, duke e përdorur sërish termin pezhorativ “LyDyKyhi”. Para se ta përmendte opozitën, ai kishte thënë “me nder me thënë”, si togfjalëshi që e përdorin shqiptarët për të paralajmëruar përdorimin e një fjale banale në vijim.

“LyDyKyhi, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratike. E në përgjithësi, me nder me thënë opozita, po i japin zor mule andej, mule këndej për vend të dytë. Po get e kanë pa edhe ata vetë që s’ka ymyt se qashtu qysh Shpejtimi i ka mbytë në Llap, Vetëvendosja po i mbytë cep më cep në Republikën e Kosovës”, thoshte ai.

Këto ofendime, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i relativizoi në një deklarim për gazetarët sot, ku tha se politika “s’është as urrejtje as dashuri”.

“Shprehje kemi dëgjuar shumë të rënda nga ana e opozitës  edhe për vetë mua në Kuvend. Mua më kanë quajtur me lloj-lloj shprehje që as s’dua t’i përmend këtu, por mua nuk më ka mbetur hatri prej atyre shprehjeve dhe ia zgjati dorën e bashkëpunimit secilit me të cilin që mund të bëjmë diçka bashkë për Kosovën”, tha ai, duke tentuar t’i zbusë etiketimet e shefit të tij ndaj oponentëve politikë.

Zyrtarët e LDK-së – Kurtit: Përçarës

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri nuk është befasuar nga ky qëndrim i Albin Kurtit, që e konsideroi “ndryshim radikal”.

Ai kujtoi se partia më e vjetër në vend e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeverisës me LVV-në.

“Ne kemi thënë jo para dy javësh. Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar”, tha Haziri të hënën në DTP Te Fidani në Klan Kosova.

Doarsa Kica Xhelili, gjithashtu nënkryetare e kësaj partie, tha se për katër vjet “kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare”. LVV-ja, sipas saj, është “rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm”.

“Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues. Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh. Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë”, shkroi ajo mbrëmë në Facebook.

Qasjen “arrogante dhe përjashtuese” të partisë në pushtet e përmendi edhe anëtarja tjetër e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu. Ajo tha se “Albin Kurti ka dëshmuar se ishte përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare”.

Ftesa e tij për Abdixhikun tash, sipas saj është “e padenjë për demokracinë”.

“Tani, kur si parti fituese nuk arrinë të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet jo-shumicë kanë ndalur bashkëpunimin, Albin Kurti përsëri zgjodhi të akuzojë partitë opozitare pse, sipas tij, nuk e ndaluan ndikimin serb në politikën e vendit. E paskrupullt ishte kjo përpjekje për të shpallur fajtorë, për t’i përçarë e etiketuar të gjithë të tjerët, veç VV-së. Nga akuzat e djeshme, te oferta për tu takuar sot për bashkëpunim, kjo qasje është e padenjë për demokracinë, e dëmshme për kulturën politike dhe përfaqësimin e qytetarëve”, shkroi Lushaku Sadriu.

Berat Rukiqi tha se Albin Kurti është “epitomë të jokonsistencës, mashtrimit, gënjeshtres dhe përçarjes ndër-shqiptare”.

“Përçarësi në tri akte. Akti 1: Ju jeni hajvanë, hajna, tradhtarë, bashkëpunëtor të Serbisë. Akti 2: Krijo mjegull si pasojë e rezultatit fatal politik padzgjedhor: dështimit për të gjetur një partner të vetëm për qeverisje dhe shpërfaqjes së varësisë nga deputetë, që nuk kontrollohen në Kosovë. Akti 3: Hajde takohemi dhe bëjmë pazare. Po i harrojmë të gjitha. Me rëndësi pushteti”, shkroi anëtari i Kryesisë së LDK-së.

Pak më shumë se një javë kohë i ka mbetur Albin Kurtit për t’i kryer konsultimet e nevojshme për formimin e qeverisë së re, të cilën ka thënë se synon ta prezantojë për votim në Kuvend më 15 prill. Përpjekja nuk duket e lehtë dhe dy ditë pasi i përfundoi takimet e para me përfaqësues të pakicave, ai evidentoi se Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë” dhe e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

Kurti është raportuar se është takuar të premtën në darkë edhe me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, në përpjekjen për të qëndruar më tej në pushtet.

Partitë tjera opozitare kanë konfirmuar në çdo rast se nuk do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Të ngjashme