Lajme
Kurti kundër tërheqjes së parave nga Trusti: Nuk e zgjidhin problemin
Demokracia
10:16 | 18 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi që tërheqja sipas tij nuk e zgjedh problemin e qytetarëve.

Kurti këtë deklaratë e bëri pas homazheve të busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë, duke thënë se edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë mendim të njëjtë për tërheqjen nga Trusti.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka thënë Kurti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili është edhe iniciator për tërheqjen e 30 për qindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale – (Trusti Pensional), ditë më parë për Demokracia.com ka thënë se në Kuvend do të parashtrojë edhe kërkesë që projektligji të kalojë në procedurë të përshpejtuar.

Haxhiu ka thënë se do të kërkojë nga Kuvendi që projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti të kalojë në procedurë të përshpejtuar, pasi që sipas tij qytetarët kanë nevojë për këto mjete.

“Projektligji për Trustin jam i bindur që do të kalojë dhe kërkesa ime në Kuvend do të jetë që të kalohet në procedurë të përshpejtuar, që ta ndihmojmë sa më shpejtë qytetarin”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Po ashtu, ai ka thënë se për kalimin e këtij projektligji ka mbështetje nga të gjitha partitë opozitare, nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga deputetët e minoriteteve./Demokracia.com/

Të ngjashme