Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka thënë se në bazë të ligjit kundër pandemisë COVID-19, do ta themelojnë Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me COVID-19, për siç tha ai përcjellën e gjendjes për së afërmi për çdo orë.
Kurti ka thënë se në rrethanat siç ishte fillimi i muajit gusht, nuk mund të merreshin masa rigoroze. Sipas tij Kosova ka buxhet të vogël dhe nuk është mundësia e vendeve perëndimore që të mbyllen qytetarët e t’i financojë shteti.
“Është e pamundur që për një kohë të gjatë të mbyllet vendi. Këto zgjidhje nuk janë ideale. Me atë çfarë kemi ditur kemi bërë më të mirën. Sa i përket personelit shëndetësor ne jemi pafundësisht falënderues, por për pagat e tyre ne kemi për shtesë solidariteti për 10 për qind. Tash nuk është situata kur punonjësit shëndetësorë janë në rrezik siç ishte vitin e kaluar ndërkaq për punën shtesë patjetër që do të kompensohen”, ka thënë ai.
Tutje, i pari i Qeverisë së Kosovës, tha se e kanë rritur kapacitetin e shtretërve në mbi 1 mijë e 600 shtretër dhe se në rast nevoje do ta rrisin edhe më tej, përfshirë edhe Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovë, që ka rreth 100 shtretër.
“Edhe të vaksinuarit mund të jenë bartës e shpërndarës të COVID-19, andaj fakti që ai është i vaksinuar nuk e ka zvogëluar gjasat që ai ta përhapë atë tek të tjerët. Mund të them që nuk jemi të kënaqur me disiplinën që duhet të jetë dy herë dy javore e të vaksinuarve. U bëj thirrje qytetarëve të Republikës që në rastin e vaksinimi qoftë të dozës së parë ose të dytë të ketë tejet shumë kujdes”, është shprehur Kurti. /Demokracia.com/